Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka shpërblyer me bursa mbi 1500 studentë të universiteteve publike në vend. Vlera e bursës ka qenë 700 euro dhe e kanë fituar vetëm studentët që kanë pasur notë mesatare mbi nëntë.
Të martën, mbi 1 mijë e 500 studentë të universiteteve publike në vend janë njoftuar se janë përfitues të bursave nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Por, a e meritojnë të gjithë këta studentët bursën dhe a është nota mesatare kriteri i duhur për ndarjen e bursave?
Zëvendësministri Xhavit Rexhaj thotë se është vështirë që të gjendet ndonjë kriter më i mirë për ndarjen e bursave sesa nota mestare.
“…ndonjë fakultet qëndron më mirë e te tjerët janë ‘me liberal’. Por megjithëkëtë, kushdo që është në situatë të vendosë kritere për ndarje të bursave, e ka të vështirë të gjejë ndonjë kriter më të mirë se nota mesatare”, ka thënë Rexhaj.
Por, vetë ai thotë se është pro kritereve më strikte për bursa që motivojnë punën, studimin e hulumtimin.
“MASH duhej të ndante shumën e caktuar. Kriteri i njëjtë i notës ndikon njësoj tek të gjithë studentët për institucionin e njëjtë. Dmth nëse kriteri është më i lehtë mjetet ndahen për më shumë studentë. Nëse kriteri është më strikt, atëherë më pak veta marrin më shumë mjete për kokë. Tash, krejt varet se a e përkrah dikush qasjen elitist – kriteret strikte, apo qasjen më sociale apo më demokratike me kritere më të lehta. Unë personalisht jam për kritere më strikte për bursa që motivojnë punën, studimin e hulumtimin”, ka thënë Rexhaj për Express.
Por, njohësit e arsimit vlerësojnë se këto bursa nuk janë të gjitha të mërituara, meqenëse siç thonë vlerësimi në universitete publike është larg të qenit real.
Drejtori i Qendrës për Arsim të Kosovës, Dukagjin Pupovci thotë se gjithmonë ka pasur dhe do të ketë student të shkëlqyeshëm, por se numri kaq i lartë i studentëve me notë mesatare mbi nëntë tregon se kriteret e vlerësimit kanë ndryshuar shumë në raport me vitet e 80’ta dhe 90’ta.
Sipas Pupovcit, vlerësimi nëpër universitet publike është larg prej të qenit real.
Dëshmi për këtë thotë se janë edhe rezultatet e hulumtimeve.
“…vlerësimi është larg prej të qenit real, ndërsa në favor të një hipoteze të tillë flasin edhe rezultatet e hulumtimeve ku vet studentët tregojnë se, të shumtën, mësojnë nga dispensat (skriptat), ose edhe më keq, nga pyetjet e provimit që blihen në dyqane fotokopjuese”, ka thënë Pupovci për Express.
Ai ka përmendur edhe rezultatin e një ankete të realizuar para tri vitesh, rezultatin e së cilës e quan një lloj absurditeti.
“Nga një anketë e zhvilluar në vitin 2017 doli se nota mesatare e 1,500 studentëve të UP-së, të përzgjedhur rastësisht, ishte 8.08 që paraqet një lloj absurditeti, duke marrë parasysh se nota 8 është minimumi për t’u zgjedhur asistent në cilindo universitet të Kosovës”, thuhet në përgjigjet e Pupovcit.
Ndërkohë, në Organizatën për Rritjen e Cilësisë në Arsim, janë kundër ndarjes së bursave duke u bazuar vetëm në notën mesatare.
Kryetari i kësaj organizate, Rron Gjinovci i ka thënë Gazetës Express se vlerësimet nëpër universitetet publike nuk tregojnë për dijen e studentëve.
“Vlerësimet në universitete në vartësi nga Fakultetet dhe numrit të studentëve që kanë ato në drejtime të caktuara, ndryshojnë. Ne përgjithësi vlerësimet në universitete nuk tregojnë për dijen e studentëve”, thotë Gjinovci.
Sipas tij, ndarja e bursave duke u bazuar vetëm në notën mesatare, pa intervistim, pa marrë parasysh aktivitetin e studentëve bursistë apo indikatorë të tjerë relevantë, nuk është e duhur.
“Ndarja e kaq shumë bursave në shuma kaq të vogla janë terësisht të padobishme”, deklaron Gjinovci.
Për gjendjen aktuale në universitetet publike thotë se është e rëndë, por se edhe në këtë gjendje janë më të mira se kolegjet private.
“Universitetet publike janë në gjendje të rëndë në përgjithësi, por edhe në këtë gjendje ato janë më të mira se institucionet e arsimit privat të arsimit të lartë”, thuhet në përgjigjet e Gjinovcit.