Një raport i auditimit nga ZKA-ja mbi dhënien e licencave minerare hedh dritë mbi një skemë të mashtrimit nga operatorët ilegalë, të cilët pasurinë minerale të nxjerrë jashtëligjshëm, ua shitën institucioneve publike.
Buletini Ekonomik
Resurset minerale që nxjerren jashtëligjshëm nga operatorët ilegalë po përdoren për shtrimin e rrugëve publike anekënd Kosovës.
Një raport i auditimit mbi dhënien e licencave minerare hedh dritë mbi një skemë të mashtrimit nga operatorët ilegal, të cilët pasurinë minerare të nxjerrë jashtëligjshëm, të njëjtën po ua shesin institucioneve publike.
Fillimisht, lënda minerale e cila përdoret për ndërtimin e rrugëve publike, si pasuri shtetërore shfrytëzohet në mënyrë ilegale dhe në anën tjetër e njëjta blihet/paguhet nga institucionet publike përmes kontratave për ndërtimin e rrugëve.
Inspektorati i Komisionit për Miniera dhe Minerale (KPMM) ka identitfikuar së paku katër raste tilla vetëm në vitin 2019.
“Kemi analizuar 12 mostra të aktiviteteve të inspektoratit për vitin 2019 dhe aktivitet tjera të përbashkëta të rasteve të OE-ve ilegal. Prej tyre, janë katër (4) raste që mineralet e nxjerra jashtëligjshëm i kanë përdorur për ndërtimin e rrugëve/projekteve publike si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal”, thuhet në raportin “Procesi i licencimit të shfrytëzuesve të mineraleve ndërtimore e industriale dhe mbrojtja e ambientit nga kjo veprimtari”, i hartuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në dhjetor të vitit 2020.
Në raport përmenden edhe emrat e projekteve. Saktësisht, në projektet “Ndërtimi i Qarkores Gjakovë, vazhdimi i rrugës Bujar Roka”, “Ndërtimit të rrugës – Cërrnicë – Livoç”, “Projekti për rregullimin e Lumit Ibër – Mitrovicë”, “Ndërtimi i trasesë Klinë – Gjakovë – Ministria e Infrastrukturës”, kompanitë ndërtuese janë gjetur duke shfrytëzuar jashtëligjshëm minerale ndërtimore.
Ligji për Miniera dhe Minerale parasheh sekuestrimin e mjeteve dhe pajisjeve gjatë operimeve ilegale, por raporti saktëson se nga të gjeturat del se “pajisjet dhe mineralet e shfrytëzuara nuk sekuestrohen dhe kjo u mundëson kompanive të ndryshme që të vazhdojnë në të ardhmen me shfrytëzimin ilegal.”
“Efektet e kësaj dukurie shkaktojnë edhe dëme tjera në tregun e mineraleve si evazioni fiskal, treg të pabarabartë kundrejt operuesve legal duke ndikuar në uljen e shitjeve dhe ndikimi në çmim dhe gjithashtu në uljen e të hyrave nga renta minerare”, thuhet në raport.
Në raport thuhet se mungon totalisht komunikimi i duhur mes KPMM-së me institucionet publike (Ministritë dhe komunat) nëse ato janë të njoftuara dhe monitorojnë prejardhjen e mineraleve ndërtimore që shfrytëzohen për ndërtimin e rrugëve publike. Ky komunikim ndodhë vetëm në rastet kur identifikohen operimet ilegale, mirëpo jo për prejardhjen e mineraleve ndërtimore.
Gjithashtu, nuk ka koordinim mes institucioneve tjera relevante mes KPMM-së, Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe institucioneve tjera përgjegjëse për përcjelljen dhe monitorimin e prejardhjes së mineraleve ndërtimore të cilat shfrytëzohen për kryerjen e punimeve publike.
“Megjithatë, për katër rastet e përmendura më lartë, KPMM-ja ka ngritur kallëzim penal në organet kompetente. Përveç katër rasteve të paraqitura më lartë, janë analizuar edhe tetë (8) raste të operimeve ilegale të identifikuara nga inspektorati. OE-të të cilët në momentin e inspektimit nga KPMMja janë identifikuar duke shfrytëzuar jashtëligjshëm minerale ndërtimore (rërë dhe zhavorr), u janë ndërprerë punimet dhe u janë shqiptuar gjobat”.
Ndërsa, të tjerëve të cilët në momentin e inspektimit nuk ishin aktiv, por materiali i shfrytëzuar dhe pajisjet ishin në vendin e inspektimit, KPMM-ja u ka vendosur shiritat për sekuestrim dhe i ka obliguar pajimin me dokumentet e nevojshme.
Megjithatë, nuk kishte aplikuar dispozitat ndëshkuese sikurse parashihet.
“Inspektorati nuk ka kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tij duke mos i gjobitur shfrytëzuesit ilegal të mineraleve dhe për pasojë nuk është arkëtuar renta për mineralet e shfrytëzuara. Nuk realizohet sekuestrimi i mineraleve dhe i mjeteve me të cilat janë shfrytëzuar mineralet në mënyrë të jashtëligjshme dhe nuk është zhvilluar procesi për konfiskimin e tyre. Gjithashtu, nuk kemi vërejtur se është kërkuar të rikthehet gjendja e zonës së shfrytëzuar dhe kjo paraqet rrezik për njerëzit dhe kafshët e njëkohësisht dëmton mjedisin”, konstaton Auditori. /Buletini Ekonomik/