Limak largon nga puna kryesindikalistin e Aeroportit

Kompania turke “Limak”,  e cila udhëheqë me Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ka vazhduar me ndërprerje të marrdhënies së punës për punëtorët e saj.

Kësaj radhe ajo ka ndërprerë marrdhënien e punës edhe për kryetarin e Sindikatës së punëtorëve, Bashkim Latifin.

Latifi përmes një deklarate të dhënë për Buletinin Ekonomik ka thënë se largimi i tij është bërë në mënyrë joligjore njësoj sikur i 60 punëtorëve të tjerë, për arsye të aktivitetit sindikal, të cilët kanë vazhduar me procedura gjyqësore nëpër gjykata.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tij, tashmë veqse kanë filluar që punëtorët t’i fitojnë këto procese gjyqësore kundrejt Limak-ut, dhe se ky është dëshmitari kryesor i këtyre veprimeve nga ana e aeroportit.

“Menaxhmenti i Aeroportit duke e parë që jam duke i mbrojtur të drejtat e punëtorëve në mënyrë dinjitoze, fillimisht më ka bërë një largim të përkohshëm, ndërkaq dje më ka lëshuar vendimin për largim nga puna” ka thënë Latifi për Buletinin Ekonomik.

Aktivitet sindikale të punëtorëve dhe kryetarit të sindikatës kanë revoltuar menaxhmentin e aeroportit “kinse” duke ju prishur reputacionin atyre, duke i larguar nga puna punëtorët dhe duke ua ndërprerë aktivitetin sindikal.

“Kemi qenë organizues të protestave 3 ditore, dhe ajo i ka demtuar ata në reputacion sepse këta jënë sikur gjithçka është parajsë,ama në aeroport është ferr” shtoi tutje ai.

Ndryshe, ai përmes një postimi të bërë dje në facebook kishte thënë se “Aeroporti Limak si person juridik dhe personat fizik brenda tij po vazhdojnë të shkelin ligjet dhe të drejtat kushtetuese dhe kodin penal poashtu dhe une do të njoftoj të gjitha autoritet kompetente”.

Në fund ai tha se do të vazhdojnë t’i kërkojnë të drejtat e tyre duke u ankuar individualisht secili nga punëtorët nëpër gjykata./Buletini Ekonomik/