Liberalizimi i tregut mund të rrisë çmimin e energjisë

Fotografi ilustruese

Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike në rrethanat aktuale në Kosovë do të sillte ngritje të çmimit të faturave të energjisë deri në 40% më shumë.

Kështu thanë për Radio Kosovën drejtues të Odës Ekonomike Amerikane dhe Këshillit të Investitorëve Evropianë. Këtë çështje në Kuvend e ngriti edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili konsideron se në emër të liberalizim të tregut të energjisë po ndodhë monopol duke u ngritur çmimet e energjisë.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, të premten, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, ka kërkuar të pengohet ngritja e çmimit të energjisë elektrike. Haradinaj tha se në emër të liberalizim të tregut të energjisë po ndodhë monopol duke u ngritur çmimet e energjisë deri në 40%.

Reklama e sponzorizuar

“Për shkak se vetëm një operator është funksional e disa tjerë edhe pse janë licencuar nuk janë funksional dhe në këtë rast të gjithë konsumatorët industrialë do të preken nga rritja e çmimit 30 deri në 40%, e kjo do të shkaktojë rritje zinxhirore të çmimeve të artikujve ushqimor dhe çmimeve të tjera, dhe do të ketë pasoja të mëdha të vendeve të punës s dhe largimin e investitorëve”, tha Haradinaj.

Në rrethana normale liberalizimi i tregut të energjisë do të sillte përfitime për konsumatorët komercial ose bizneset, por në rastin e Kosovës kjo është e pamundur për arsye se vetëm një operator është funksional ani pse edhe disa të tjerë janë të licencuar. Kështu ka bërë të ditur për Radio Kosovën kryetari i Odes Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, i cili tha se për tri vjete rresht po kërkojnë shtyrje të këtij procesi.

“Arsyeja pse po kërkojmë një shtyrje të tillë është se në kushtet kur ka ofertë të kufizuar, atëherë natyrisht se furnitori i vetëm që ka kapacitete mund të abuzojë edhe me pozitën dominuese dhe të ballafaqohemi pastaj me një ngritje të çmimit të energjisë elektrike. Bizneset janë ankuar se nga ofertat që ata kanë marrë gjatë fazës së negocimit kanë qenë më të larta, ose kanë pa një ngritje të tarifave prej 30 deri në 40%, që i bie që do të kishte pasur shtrenjtim të faturave të energjisë elektrike dhe kjo godet më së shumti bizneset që konsumojnë më tepër energji elektrike siç është rasti me sektorin e prodhimit”, tha Zeka për Radio Kosovën.

Drejtori i Këshillit të Investitorëve Evropianë, Emrush Ujkani, tha se zbatimi i këtij liberalizimi nënkupton aplikim të disa tarifave më të larta në krahasim me ato që janë tash për tash, e kjo do të dëmtonte një pjesë të madhe të bizneseve.

 “Për një pjesë të mirë të bizneseve hyrja dhe zbatimi i këtij liberalizmi nënkupton aplikimin e disa tarifave më të larta në krahasim më ato që janë tash për tash. Kërkesa jonë edhe si Këshill i Investitorëve Evropianë, është që kjo të prolongohet edhe një vit pastaj të gjinden mekanizma që të zbatohet në mënyrë më adekuate, por që jo zbatimi i tyre të shkon në kurriz të bizneseve”, tha Ujkani për Radio Kosovën. 

Zëdhënësi i KEDS-it Viktor Buzhala, tha se procesi i liberalizimit të energjisë aktualisht është në fazën e derregullimit të konsumatorëve të kyçur në linjat 35/10 kilo volt. Ai tha se për të hyrë në derregullim, vetëm 70 konsumatorë i kanë plotësuar kriteret.

“Procesi i liberalizimit aktualisht është në fazën e derregullimit të konsumatorëve të kyçur në linjat 35/10 kilo volt. Duhet ta cekim se aty janë një numër i vogël i konsumatorëve në krahasim me numrin total të konsumatorëve që ka KESCO. Në këto linja janë të kyçur rreth 400 konsumatorë, prej të cilëve, në bazë të kritereve, i kanë plotësuar kushtet që të hyjnë në derregullim vetëm 70. Ndërsa mbi 99% të konsumatorëve vazhdojnë të jenë të kyçur në 04 apo furnizimi shtëpiak, dhe të mos i plotësojnë  kriteret e caktuara”, tha Buzhala.

Derregullimi  është mundësia e zgjedhjes së furnizuesit të energjisë. Pra, u jep konsumatorëve në zgjedhje, kur është fjala për furnizuesin e tyre të energjisë dhe gjithashtu, i motivon furnizuesit e energjisë që të ofrojnë çmime dhe shërbime me të mira për të qenë konkurrues në treg.