Më 6 prill përfundon afati për aplikim për tërheqjen e 10 përqindëshit nga Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës.
Sipas Trustit, pas kësaj date kontribuuesit nuk mund të aplikojnë për këtë shërbim.
Zëdhënësi i këtij institucioni, Jeton Demi në një intervistë për Telegrafin ka njoftuar se, deri më 23 mars, janë tërhequr 197 milionë euro nga aplikimi për 10 përqindëshin.
Demi kishte thënë se numri i atyre që kanë aplikuar për ta shfrytëzuar këtë të drejtë është rreth 425 mijë kontribuues.
“Për 425 mijë kontribuues janë tërhequr 197 milionë euro për 10 përqindëshin. Është pak a shumë brenda kufijve që kemi pritur, ku maksimumi i tërheqjes së parashikuar ka qenë 200 milionë euro”, kishte thënë Demi.
Ai ka treguar se vetëm ditën e parë kanë aplikuar gjysma e kontribuuesve.
“Vetëm për 9 orë kanë aplikuar më shumë se gjysma e të gjithë kontribuuesve që kanë aplikuar deri më tani. Në ditën e parë kemi pasur 220 mijë aplikime dhe për të gjithë periudhën tjetër janë rreth 205 mijë aplikime. Andaj, në total janë rreth 425 mijë aplikime, prej momentit kur është hapur deri më 23 mars 2021. Volumi i aplikimeve, pas muajit dhjetor 2020 ka qenë shumë i ulët. Në përgjithësi, procesi nuk ka pasur vështirësi teknike, përveç ditës së parë, ankesa dhe çështje të aplikimit që ndërlidhen me Trustin nuk ka pasur, por kanë qenë probleme teknike që kontribuuesit kanë pasur me bankat ose me parakushtet ligjore në kuptimin që duhet të kishte një llogari bankare aktive”, ka treguar ai.
Tërheqja e këtyre mjeteve është garantuar me Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike, i votuar në Kuvendin e Kosovës si ndihmë për periudhën e pandemisë COVID-19.
Qeveria e Kosovës me ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Fondin Pensional kishte paraparë kompensimin e mjeteve të tërhequra në vlerë nën 10 mijë euro.
Aplikimi për tërheqjen e 10 përqindëshit kishte filluar më 11 dhjetor 2020, ndërsa përfundon më 6 prill 2021.