Mos rritja e pagës minimale që nga viti 2011 përbën shkelje të ligjit

Këshilli Ekonomiko Social, kërkon rritjen e pagës minimale në 250 euro, mirëpo Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës nuk janë të kënaqur me këtë shumë, ata po kërkojnë që kjo pagë të jetë 300 euro.

Paga minimale në Kosovë nuk është rritur që nga viti 2011 e që për këtë ekonomistët thonë se është në kundërshtim me ligjin. Anëtarja e Këshillit Ekonomiko Social, Lumnije Ajdini, i ka thënë Radio Kosovës se Qeveria duhet ta rrisë pagën minimale çdo vit, sipas propozimit të këtij këshilli.

“Nuk është rritur paga minimale sepse nuk ka pasur vullnet politik”, tha ajo.

Reklama e sponzorizuar

Ajo tha se në bazë të Udhëzimit Administrativ 09/2017 përcaktohet paga minimale duke marrë parasysh koston e shpenzimeve jetësore, shkallën e papunësisë,  gjendjen e përgjithshme të tregut të punës, bruto produkti vendor, pagën mesatare në vend si dhe pagën mesatare në sektorin privat. Mirëpo, Ajdini bëri të ditur se rritja e pagës minimale mund të ketë implikime buxhetore në vend, nëse nuk ndryshohet Ligji i punës dhe ai i veteranëve të luftës.

“Normal do të ketë implikime në buxhetin e Kosovës. Sa i përket vlerës Së pagës minimale ne si KES jemi dakorduar që të ketë pagë minimale 250 euro,  mirëpo duke ndryshuar këto ligje që të mos kenë implikime në buxhet të Kosovës”, tha ajo.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Avni Ajdini, tha se nuk janë fare të kënaqur me pagën 250 euro.

“Unë konsideroj që paga minimale duhet të jetë 300 euro. Kërkesa jonë është që të jetë 350 euro ,mirëpo nëse nuk ka mundësi të paktën të jetë 300 euro”, tha ai.

Ndërsa Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, konsideron se paga minimale në Kosovë është më e ulëta në Ballkan.

“Paga më e ulët minimale në Ballkan e që kjo duhet të rritet. Por rritja duhet të shkon ne bazë të ligjit dhe kritereve të bazuara në ligj të rritjes se konsumit indeksit te çmimeve rritjes se produktit vendor dhe që matja e tyre është në bazë të kritereve që përcakton çdo vit rritjen e pagës. Mos rritja e pagës minimale që nga viti 2011 është në kundërshtim me ligjin”, tha Shahini.

Sipas Shahinit, rritja e pagës minimale në Kosovë e prekë buxhetin e shtetit, e me këtë rast preken edhe veteranët e luftës. Por, Shahini tha se përkundër këtyre problemeve, 45% të bizneseve kanë deklaruar se nuk do ta kenë problem rritjen e pagës minimale.