Tetë projekte tashmë të përfunduara nëpër komuna të ndryshme, po mbahen ende në regjistrin e pasurisë së Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), si investime që duhen bërë në të ardhmen.
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e auditimit të vitit 2020 për këtë ministri, ka hasur në disa dobësi në menaxhimin e pasurisë, që kishte ndodhur si pasojë e moskoordinimit të zyrtarëve përgjegjës të pasurisë dhe menaxherëve të kontratave.
Kështu, në raport është konstatuar se tetë projekte të realizuara përmes bashkëfinancimit me komuna, me një vlerë totale prej 587 mijë e 329 eurove, edhe pse ishin përfunduar dhe ishte bërë pranimi teknik i tyre nga komisionet e formuara nëpër komunat përkatëse, ato ende figuronin si investime në vijim në regjistrin e pasurisë së MAPL-së, përcjell Buletini Ekonomik.
“Nga testimet tona kemi evidentuar se tetë (8) projekte⁵përmes bashkëfinancimit në vlerë totale 587,329€ edhe pse ishin përfunduar dhe ishte bërë pranimi teknik i tyre nga komisionet e formuara nga komunat përkatëse, ato ende figuronin si investime në vijim në regjistrin e pasurisë së MAPL-së”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Ndërkohë, neni 12 i rregullores nr. 02/2013 për Menaxhimin e pasurisë jo-financiare në Organizata Buxhetore, në këtë rast në MAPL, thekson se – Organizatat mund të blejnë dhe ndërtojnë pasuri përmes bashkëfinancimit dhe deri në momentin e pranimit të pasurisë jofinanciare, ato do të regjistrojnë në kategorinë e investimeve në vijim. Por, në momentin kur pasuria jofinanciare i ka kaluar të gjitha rregullat dhe procedurat e pranimit nga ana e OB, (pra është përfunduar i gjithë projekti), atëherë kategoria e investimeve në vijim mbyllet edhe në regjistrat e OB-së pranuese dhe OB-së bashkëfinancuese.
E mbajtja e projekteve të përfunduara në regjistrin e pasurisë si investime në vijim padyshim se jep një pasqyrë jo të saktë të pasurive në posedim, si dhe ndikon në mbivlerësim të pasurive dhe krijon një çorientim për palë të ndryshme të interesit apo për shfrytëzues të raportit financiar, thotë Auditori i Përgjithshëm.
Ky i fundit i rekomandon ministrit që në bashkëpunim me departamentin e monitorimit të sigurojnë një komunikim të mirëfilltë dhe në kohë në mes të zyrtarëve përgjegjës në mënyrë që regjistri i pasurive të azhurnohet me kohë, duke i regjistruar dhe fshirë të gjitha pasuritë sipas kërkesave të rregullores.
Kjo ministri, përveç shkeljes së lartëcekur, operon edhe pa Zyrtar të Pasurisë që nga viti 2018.
“Pozita për zyrtarë të pasurisë nuk ishte plotësuar që nga viti 2018, MAPL me dt.01.01.2020 kishte hapur konkurs të brendshëm për këtë pozitë mirëpo ky konkurs ishte anuluar për shkak se kandidatët nuk i kishin përmbushur kriteret e kërkuara me konkurs”, përshkruhet tutje në raport.
E gjithë kjo sipas Auditorit kishte ndodhur për shkak të mos funksionimit të mirë të kontrolleve të brendshme. Por, mos plotësimi apo vonesat në plotësimin e pozitave të caktuara, rrit rrezikun që aktivitetet operative dhe menaxhuese të MAPL-së të mos kryhen me profesionalizëm, me kohë, në mënyrë cilësore apo edhe të mos kryhen fare.
Tutje kjo ministri gjatë 2020-s nuk ka punësuar asnjë punëtorë të ri. Buxheti final i kësaj ministrie për paga dhe mëditje ishte 1 milionë e 23 mijë e 373 euro, ku prej tyre ishin shpenzuar gjithsej 969 mijë e 397 euro. Kurse numri i të punësuarve sipas buxhetit-planifikimit në këtë ministri ishte 123, ndërsa në fund të vitit numri i tyre kishte rënë në 119.
Përpos këtyre, MAPL në Raportin Vjetor Financiar (RVF), kishte paraqitur vlerën prej 5 mijë e 945 eurove, si avance të paarsyetuara për udhëtime zyrtare që nga vitet paraprake 2010-2014.
Ndonëse sipas Auditorit, MAPL kishte dëshmi se avancet ishin mbyllur, në SIMFK ato ende figuronin të hapura.
“MAPL kishte bërë kërkesë në Thesar për t’i korrigjuar avancet e mëhershme duke dërguar dokumentacionin e duhur dhe ishte në pritje të korrigjimit të pjesës së mbetur të avanceve të hapura nga Thesari. Çështja e njëjtë ishte raportuar edhe në raportin tonë të auditimit për vitin 2019”, thuhet në raport.
Gjithashtu, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) nuk ka pasur fare Komitet të Auditimit të Brendshëm funksional gjatë tërë vitit 2020.
Sipas Ministrisë, kryesuesja e Komitetit të Auditimit kishte dhënë dorëheqje, kurse si arsyetim për mosplotësimin e pozitës, ministria kishte dhënë faktin se kërkesa për zëvendësim të kryesueses ishte bërë, porse ajo kërkesë ishte neglizhuar nga menaxhmenti.
Ndërkohë, mosfunksionimi i Komitetit të Auditimit rezulton me mungesë të monitorimit të punës të Njësisë për Auditim të Brendshëm për t’i ofruar mbështetje menaxhmentit në vendimmarrje dhe të sigurojë që rekomandimet e auditimit janë trajtuar dhe zbatuar nga ana e ministrisë.
Në anën tjetër, sipas Udhëzimit administrativ MF – NR. 01 / 2019 për themelimin dhe funksionimin e komitetit të auditimit në subjektin e sektorit publik, neni 4, thuhet se “1.Çdo subjekt i sektorit publik që ka të themeluar Njësinë e auditimit të brendshëm në nivel të organit kryesor sipas legjislacionit në fuqi, themelon Komitetin e Auditimit. (Mirjeta Shabani) /Buletini Ekonomik/