Sistemi i pagesave në Kosovë ende bazohet vetëm tek bankat si akter kryesor. Nga hulumtimi del se bankat po e shfrytëzojnë këtë pozitë dominuese duke aplikuar tarifa të larta, dhe në disa raste duke e pamundësuar konkurrencën.
Agon Sinanaj
Për çdo transfer ndërkombëtar përmes bankave komerciale, një klient duhet të paguajë tarifë nga 5 euro deri në 800 euro, varësisht prej shumës së transferuar. Veç kësaj, pagesat nuk mund të kryhen në çdo kohë brenda ditës si dhe vonojnë deri në cak.
Në Kosovë ende nuk kryhen ato që njihen si instant pagesa apo transfere brenda 3 sekondave dhe në çdo kohë gjatë ditës.
Tani për tani, bankat janë të vetmet që kanë qasje të drejtpërdrejtë në sistemin e pagesave.
Kompanitë e njohura për pagesa të shpejta dhe që aplikojnë teknologji të avancuar (IFJB) në Kosovë, shërbimet e pagesave mund t’i kryejnë vetëm përmes një llogarie të hapur në një bankë. Kjo u ka dhënë bankave ekskluzivitetin në shërbimet e pagesave, në raste-raste edhe në dëm të akterëve tjerë në treg.
Nga hulumtimi del se bankat po e shfrytëzojnë këtë pozitë dominuese, duke aplikuar tarifa të larta, dhe në disa raste duke e pamundësuar konkurrencën.
Një nga IFJB-të e licencuara së fundi nga BQK është kompania ndërkombëtare e pagesave “PaySera”. Kjo kompani është e njohur për Instant pagesa, apo transfere të shpejta sekondëshe.
Që nga koha e licencimit vitin e kaluar, kompania ende nuk ka të hapur llogari nëpër shumicën e bankave komerciale.
“Të gjitha bankat e mëdha kanë refuzu me hap llogari për IFJB-në e licencuar Paysera dhe këto shqetësime ne i kemi i ngritur në BQK dhe jemi duke pritur”, thotë Bashkim Zeqiri, kryeshef ekzekutiv në PaySera.
Ndërkaq, pa një llogari të hapur në një bankë, kompania e ka të pamundur t’i kryejë shumicën prej shërbimeve të saj.
Zeqiri ende nuk e ka të qartë se pse bankat po refuzojnë hapjen e llogarisë. Ai thotë se e kanë pritur që do të kenë sfida, meqë bëhet fjalë për një aktivitet të ri dhe shërbime të reja, mirëpo jo deri në këtë masë.
Buletini Ekonomik ka dërguar pyetje tek bankat ProCredit dhe Raiffeisen, mirëpo deri në momentin e publikimit të shkrimit, të njëjtat nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet se pse nuk kanë pranuar të hapin llogari për këtë kompani.
Kjo situatë ngre dyshime për monopol nëse shikohet neni 45 i Ligjit për Bankat, i cili ua ndalon bankave të kenë “pozicion zotërues”.
“Bankat ndalohen të hyjnë në transaksione ose të angazhohen në praktika të çdo lloji që do t’u jepnin atyre, vetëm apo së bashku me të tjerë, një pozicion zotërues në tregjet e parasë, kapitalit ose këmbimit valutor, dhe në angazhime në mjete manipuluese ose praktika të çmimeve grabitqare që mund të rezultojnë në një avantazh të pandershëm për ata vetë ose për palë të treta”.
Direktiva PSD2– jo e aplikueshme në Kosovë
Kosova ende nuk e ka adoptuar Direktivën Evropiane për Pagesa (Payment Services Directive PSD2), e cila i obligon bankat të mundësojnë qasje në të dhëna (open data). Direktiva PSD2 kërkon sistem të avancuar të pagesave për klientët dhe u mundëson akterëve tjerë në treg, siç janë IFJB-të, të jenë konkurrentë në shërbimet e pagesave.
Aktualisht, Sistemi i Pagesave në Kosovë është i rregulluar me Ligjin për Bankën Qendrore dhe Ligjin për Sistemin e Pagesave, mirëpo të dyja këto ligje nuk përmbajnë kërkesat që dalin nga Direktiva PSD2.
Kushtrim Ahmeti, zëdhënës në BQK, thotë se “këto kërkesa marrin kohë dhe bartin kosto për adaptimin, dhe implementimin e plotë të tyre, të cilat, sipas tij, kanë rezultuar të jenë sfiduese dhe me vonesa edhe për vendet e BE-së.
“Prandaj, përveç adaptimit në kuadër të legjislacionit primar të kësaj direktive, kërkohet kohë për përgatitjen e rregulloreve të nevojshme, si dhe përgatitje, kohë dhe investime për sa i përket implementimit të kërkesave të saj nga bankat dhe IFJB-të”, thotë ai.
Mirëpo, Zeqiri thotë se PaySera e ka gjithë teknologjinë e avancuar për të kryer pagesa sekondëshe për klientët kudo nëpër botë. Sipas tij, Paysera e ka teknologjinë edhe për shërbimin e integrimit e-commerc, për pagesa me vetiniciativë të klientëve. Ky shërbim do të ishte i nevojshëm sidomos për bizneset vendore që bëjnë tregti me biznese jashtë Kosovës.
“Deri tash nuk kemi pranuar gatishmëri prej bankave në këtë drejtim. Ne pjesën tonë e kemi gati për t’i ofruar këto shërbime”, thotë Zeqiri.
‘Monopoli’ që po i rritë tarifat për qytetarët
“Vllesa” është një kompani tjetër në Kosovë që merret me shërbimet e pagesave, e regjistruar si IFJB. Nexhat Kryeziu, Drejtor ekzekutiv në “Vllesa”, thotë se një ndër sfidat kryesore të IFJB-ve është pikërisht sistemi i pagesave, i cili nuk u mundëson qasje të drejtpërdrejtë por vetëm përmes ndërmjetësimit të bankave komerciale.
Kjo, sipas Kryeziut, pastaj po ndikon në rritjen e tarifave për qytetarët.
“Si rrjedhojë përveç tarifave të BQK-së, IFJB-të detyrohen të paguajnë tarifa shtesë për bankën/bankat ndërmjetësuese, gjë që i ngritë shumë lartë kostot operative, dhe si rezultat hasim në vështirësi në ofrimin e shërbimeve me kosto të përballueshme për qytetarët, gjë e cila do të duhej të ishte misioni i secilit IFJB”, vlerëson Kryeziu.
Buletini Ekonomik ka hulumtuar çmimoret e gjashtë bankave më të mëdha në vend tek tarifat që ato përdorin për tërheqjen apo dërgimin e parave gjatë transfereve ndërkombëtare. Ato variojnë prej 5 eurove deri në 800 euro varësisht nga shuma e mjeteve që janë në pyetje.
Ndryshe nga PaySera, “Vllesa” ka të hapura llogari nëpër disa prej bankave komerciale, mirëpo procedura derisa kryhet një pagesë është goxha e koklavitur.
“Fillimisht, bëhet përgatitja e fajllave sipas standardeve dhe kërkesave të BQK-së, dhe të njëjtin e dërgojmë tek banka ndërmjetësuese, pastaj banka ndërmjetëse ngarkon fajllin ne sistemin e kliringut për ekzekutim përfundimtar të pagesave”, shpjegon Kryeziu.
Sipas Kryeziut, duhet avancim i ligjeve dhe rregulloreve në mënyrë që t’ju mundësohet IFJB-ve të kenë qasje më të lehtë dhe të drejtpërdrejtë në infrastrukturën e pagesave, së paku në kliring në nviel vendi.
“Një gjë e tillë nuk është e ndaluar me ligjet dhe rregulloret në fuqi, përkundrazi sipas kërkesave ligjore, të gjitha institucionet financiare të rregulluara nga BQK kanë të drejte të hapin llogari në BQK, e ky do të ishte një hap drejt eliminimit të barrierave dhe konkurrencës jo fer karshi IFJB-ve kundrejt bankave”, thotë Kryeziu.
Edhe Gazmend Selmani nga “Ibas” vlerëson se adaptimi i direktivës PSD2 mbetet kushti kryesor për rregullimin e këtij sektori. /Buletini Ekonomik/