Shqipëria ka nivelin më të ulët të të ardhurave për frymë në Europë në raport me mesataren e BE, por nga ana tjetër niveli i çmimeve në vendin tonë është në nivelet më të larta Rajonale pasi i afrohen më shumë mesatares së BE-së për vitin 2020.
Nga ana tjetër ushqimet dhe pijet jo alkoolike në Shqipëri janë më të shtrenjtat në Rajon. Raporti i fundit i EUROSTAT thotë se ato janë sa 83.4% e mesatares së BE-së, duke u renditur më të lartat në rajon për vitin 2020.
Edhe për veshjet, këpucët, apo edhe çmimet e shërbimit të transportit dhe të komunikacionit janë më të lartat në rajon. Konkretisht sipas këtij raporti niveli i përgjithshëm i çmimeve në Shqipëri ishte sa 58% e mesatares së BE-së me 2020.
Maqedonia fqinjë e kishte këtë tregues 50%, Mali i Zi 57%, Bosnja 55%, Rumania 38%. Serbia i kishte nivelin e çmimeve sa 58% e mesatares së BE-së, i njëjti nivel sa me Shqipërinë.
Ndërsa sa i takon restoranteve dhe hoteleve vendi ka çmime më të larta se Turqia dhe Maqedonia e Veriut.
Por nga ana tjetër Shqipëria është klasifikuar nga Eurostat si vendi me të ardhurat për frymë më të ulëta në rajon të ndikuara edhe nga pandemia COVID-19. Të ardhurat për frymë vlerësohen sa 31% e mesatares së BE-së duke mos pësuar rritje.
Ndërkohë sipas të dhënave të Ministrisë së Financave të ardhurat për frymë në 2020 ishin në vlerën e 4.459 eurove, me një rënie prej 323 euro krahasuar me 2019. Ndërkohë këtë vit pritet që të ardhurat për banor të arrijnë në 4.782 euro, e njëjta vlerë me vitin 2019.