Përveç bizneseve të cilat janë të detyruara t’iu lëshojnë kupon fiskal secilit blerës, edhe konsumatorët janë të obliguar ta kërkojnë kuponin për çfarëdo blerje, nëse ky i fundit nuk iu jepet vet nga dyqani.
Pra, sipas ligjit, edhe ju si konsumator mund të gjobiteni nëse pranoni të merrni produktin pa kupon fiskal. Madje, gjoba për një veprim të tillë mund t’ju kushtojë deri 20 euro, përcjell Buletini Ekonomik.
Faqja “Mbrojtësit e Konsumatorëve”, thotë se të gjitha bizneset obligohen të lëshojnë kupon fiskal, porse një pjesë e përgjegjësisë iu mveshet edhe konsumatorëve.
Sipas tyre, Administrata Tatimore e Kosovës e rezervon të drejtën për t’ju gjobitur në qoftë se pranoni të merrni produktin apo shërbimin pa kupon fiskal.
Ligji për ATK, neni 53, pika 7, mes tjerash përkufizon se ”… Çdo konsumator i cili largohet nga objektet e biznesit pas blerjes së mallrave apo shërbimeve pa kërkuar kupon duke reflektuar blerjen e atyre mallrave apo shërbimeve do t’i nënshtrohet një gjobe prej njëzet (20) Euro.”
Mbrojtësit e Konsumatorëve iu bëjnë thirrje qytetarëve se sa herë që kuponi fiskal nuk iu jepet, të raportojnë përmes telefonit në ATK në këtë numër: 038 222 165.
“KUPONI FISKAL ËSHTË PËRGJEGJËSI E DYANSHME”, shtojnë Mbrojtësit e Konsumatorëve. /Buletini Ekonomik/