Në Kosovë, shumë tregtarë po bëjnë promocione të ndryshme, sipas të cilave produktet e blera nëpër dyqanet e tyre nuk kthehen më.
E kjo është plotësisht në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit, i cili përcakton se qytetarët kanë të drejtë kthimi deri në 14 ditë, përkatësisht dy javë të plota nga data e blerjes së produktit.
Mbrojtësit e Konsumatorëve, përmes një postimi në faqen e tyre në Facebook, kanë njoftuar qytetarët se në bazë të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorëve, ata mund të kthejnë produktet madje pa dhënë asnjë sqarim për shitësin, në një afat prej 14 ditësh nga blerja.
“Ligji specifikon që produktet mund të kthehen pa dhënë asnjë sqarim në afat prej 14 ditësh nga koha e blerjes se produkteve”, thuhet në postim.
Mirëpo, ata paralajmëruan gjithashtu qytetarët që të kenë kujdes para se t’i blejnë produktet.
Ata rekomanduan që së pari duhet të lexohen termat e kontratës se kush i bart shpenzimet e postës, ose nëse ju obligoheni të paguani ndonjë kosto shtesë, gjithmonë para blerjes. /Buletini Ekonomik/
Për më shumë detaje, lexojeni Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit këtu: https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=16551