Përpjekje për të shmangur cash-in

Kuvendi i Shqipërisë nis së shpejti diskutimet për projektligjin e pagesave. Synimi është reduktimi i qarkullimit cash të vlerave monetare, duke lehtësuar shërbimet inovative të pagesave, uljen e kostove dhe rritjen e transparencës.

Në vendet e zhvilluara, por edhe në rajonin tonë, teknologjia po krijon një revolucion në fushën e pagesave, duke nxitur gjithnjë e më shumë transaksionet me karta krediti, pagesa nga telefoni etj. Bankat po priren të reduktojnë shërbimet e pagesave në sportele dhe qeveritë po nxisin politika që reduktojnë pagesat cash, teksa monedha virtuale janë tashmë në qarkullim.

Shqipëria ende ndodhet në një fazë të hershme, për shkak të cektësisë financiare, por Banka Qendrore ka depozituar një projektligj në Kuvend që synon të përmirësojë shërbimet e pagesave në vendin tonë. Shqipëria ka një nivel të lartë të përdorimit të parasë cash në ekonomi dhe kjo reflektohet edhe në përqindjen e ulët të popullsisë mbi 15 vjeç që  ka llogari bankare (vetëm 40 % niveli më i ulët në Europë). Përdorimi i cash-it përveçse është një tregues i një kulture të ulët financiare, përllogaritet me kosto të lartë për ekonominë.

Reklama e sponzorizuar

Luljeta Minxhozi, zv.guvernatore e Bankës së Shqipërisë, njëkohësisht edhe kryetare e Komitetit Kombëtar të Pagesave, tha se ligji i ri i pagesave ishte konceptuar fillimisht në dy komponentë kryesorë: i pari synonte anën rregullative për shërbimet e pagesave dhe komponenti i dytë thellësinë financiare. Por pas diskutimesh të gjata u ra dakord që projektligji i ri që tashmë është në Kuvend të fokusohej në komponentin e parë, ndërsa komponenti i dytë që ka të bëjë me thellësinë financiare u la për një periudhë të mëvonshme. https://www.monitor.al/synojme-qe-70-e-popullsise-mbi-15-vjec-te-kete-llogari-bankare-deri-me-2022-2/

Ky objektiv nuk mund të arrihet pa marrë më parë një fushatë drejt edukimit financiar. Banka e Shqipërisë dhe Shoqata e Bankave janë angazhuar për të një fushatë edukimi në të gjithë vendin, me qëllim që para se të marren masa ligjore, njerëzit të njihen me përfitimet që kanë nga pagesat jo cash.

Risitë në pagesat me vlerë të vogël

Hyrja në fuqi i ligjit për pagesat këtë vit synon të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në nxitjen e konkurrencës dhe inovacionit në fushën e pagesave me vlerë të vogël.  Kjo do të arrihet nëpërmjet shërbimeve inovative të promovuara nga ky projektligj që konsistojnë në shërbimet e inicimit të pagesave dhe shërbimet e informimit mbi llogaritë individuale në institucione financiare të ndryshme.

Një koncept i ri i krijuar nga projektligji është dhe institucioni për shërbimin e llogarisë, që përfaqëson konceptin e njohur si “bankë e hapur”. Kjo nënkupton që bankat, të cilat tradicionalisht mbajnë llogaritë e klientëve, do të kenë detyrimin të informojnë institucionet, të cilat ofrojnë dy  shërbimet inovative (të inicimit të pagesave dhe të informimit mbi llogarinë për disponueshmërinë e fondeve ose gjendjen e llogarisë), me qëllim final kryerjen e pagesave.

Institucionet për shërbimin e llogarisë mundësojnë që bankat, institucionet e parasë elektronike dhe institucionet e pagesave, të cilat nuk administrojnë llogarinë e përdoruesit të shërbimeve të pagesave, të kenë mundësi të emetojnë instrumente të pagesave me karta dhe ekzekutimin e pagesave të kryera me to nga ana e përdoruesit.

Më në detaje, ofruesi i shërbimeve të pagesave nëpërmjet këtyre shërbimeve, mund të informohet, me pëlqimin e përdoruesit, mbi gjendjen e llogarisë në një institucion tjetër dhe kështu të mundësohet ekzekutimi i pagesës duke shmangur kredinë midis palëve. Instrumentet e pagesës nuk mbulojnë vetëm kartat e pagesave, siç janë kartat e debitit dhe kartat e kreditit, por çdo pajisje të personalizuar e rënë dakord midis emetuesit dhe përdoruesit që përdoret për të iniciuar një pagesë.

Projektligji parashikon se konsumatorët dhe mikrondërmarrjet duhet të marrin informacion bazë për transaksionet e pagesave të ekzekutuara, pa pagesë. Në mënyrë të ngjashme, informacionet e mëvonshme mbi transaksionet e pagesave, sipas dispozitave të kontratës tip, duhet të sigurohen në baza mujore, pa pagesë. Megjithatë, duke marrë parasysh rëndësinë e transparencës në çmimet dhe nevojat e ndryshme të konsumatorëve, projektligji parashikon edhe mundësinë e kërkesave të mëtejshme për informacion kundrejt një pagese.

Projektligji parashikon se konsumatorët dhe mikrondërmarrjet duhet të marrin informacion bazë për transaksionet e pagesave të ekzekutuara, pa pagesë. Në mënyrë të ngjashme, informacionet e mëvonshme mbi transaksionet e pagesave, sipas dispozitave të kontratës tip, duhet të sigurohen në baza mujore, pa pagesë.

Si zgjidhen problematikat për transaksionet e gabuara

Sipas projektligjit të ri, në rastin kur përdoruesi i shërbimeve të pagesave mohon të ketë autorizuar ekzekutimin e një transaksioni pagese ose pretendon se transaksioni i pagesës nuk është ekzekutuar në mënyrë korrekte, është detyrim i ofruesit të shërbimeve të pagesave dhe ndërmjetësve të përfshirë në transaksion për të vërtetuar të kundërtën. Gjithashtu, në projektligj parashikohet një ndarje proporcionale e detyrimeve ndërmjet ofruesve të ndryshëm të shërbimeve të përfshirë në procesimin e pagesës.

Më konkretisht, ofruesi duhet të kthejë menjëherë shumën e transaksionit te paguesi, duke e rikthyer llogarinë e debituar të pagesës në gjendjen në të cilën ajo do të kishte qenë nëse transaksioni i paautorizuar i pagesës nuk do të kishte ndodhur. Megjithatë, kur ekzistojnë dyshime objektive, të cilat i komunikohen Bankës së Shqipërisë për zgjidhjen alternative të mosmarrëveshjeve, ofruesi i shërbimeve të pagesave duhet të jetë në gjendje të kryejë, brenda një kohe të arsyeshme, një hetim para rimbursimit të paguesit.

Afatet e pagesave

Me qëllim nxitjen e efikasitetit të pagesave në projektligj, nëpërmjet nenit 76, është parashikuar se të gjitha urdhërpagesat kombëtare të iniciuara nga paguesi në lekë dhe në euro, duhet t’i nënshtrohen një kohe maksimale ekzekutimi, përfshirë edhe ditën pasardhëse të punës.

Nga ana tjetër, duke njohur vështirësitë e procesimit të pagesave, lejohen mundësitë e shtyrjes së ekzekutimit të këtyre lloje transaksionesh me një ditë pune. Për të gjitha pagesat e tjera, siç janë pagesat e nisura nga ose përmes një paguesi, duke përfshirë debitime direkte dhe pagesa me karta, në mungesë të një marrëveshjeje të qartë midis ofruesit të shërbimeve të pagesave dhe paguesit për të vendosur një kohë më të gjatë ekzekutimi, duhet të aplikohet i njëjti afat kohor.

Ndërkohë, projektligji parashikon për transaksionet e pagesave me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, një periudhë jo më të gjatë ekzekutimi se katër ditë, përveç në rastin kur palët bien dakord për një periudhë ndryshe.

Pagesat e gabuara, si ndahen kostot

Sipas ligjit të ri, paguesi ose përfituesi nuk duhet të ngarkohen me kosto që lidhen me pagesën e gabuar. Lidhur me ekzekutimin e pagesës në mënyrë të gabuar, si rrjedhojë e dhënies së kodit unik të identifikimit të pasaktë nga ana e paguesit, ofruesi i shërbimeve të pagesave nuk mban përgjegjësi, megjithatë duhet të bashkëpunojë për rimarrjen e fondeve nëpërmjet komunikimit të informacioneve përkatëse. Në ligjin e ri, procesimi i pagesave kërkon dhe përdorim të të dhënave personale.

Një seksion i veçantë në projektligj i dedikohet edhe administrimit të rrezikut operacional dhe të sigurisë, si dhe autentifikimit të klientëve. Më konkretisht, neni 88, parashikon detyrimin që ofruesit e shërbimeve të pagesave të marrin masat e duhura për zbutjen e rrezikut operacional dhe të krijojnë sisteme kontrolli të përshtatshme për administrimin e tij dhe të sigurisë që lidhet me shërbimet e pagesave të ofruara.

Në rastin e ndodhjes së një incidenti madhor operacional ose të sigurisë, projektligji  parashikon detyrimin e ofruesve të shërbimeve të pagesave për njoftim pa vonesa të pajustifikuara të Bankës së Shqipërisë, e cila duhet të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur sigurinë e menjëhershme të sistemit financiar. Në rastet kur ky incident ndikon në interesat financiare të përdoruesve të shërbimeve të pagesave, ofruesi i shërbimeve të pagesave duhet t’i informojë këta të fundit mbi incidentin dhe të gjitha masat që ata mund të marrin për të zbutur efektet e padëshiruara të incidentit. Ofruesit e shërbimeve të pagesave duhet t’i paraqesin mbi baza periodike Bankës së Shqipërisë, të dhëna statistikore për mashtrimet, në lidhje me mjetet e ndryshme të pagesës.

Kostoja e cash-it, rritja ekonomike frenohet me 0.7% në vit

Në analizat që Banka e Shqipërisë ka kryer në bashkëpunim me Bankën Botërore, ka gjetur se instrumentet cash të pagesave në Shqipëri kanë kosto ende të larta, jo vetëm për agjentët e tregut, por edhe për ekonominë në tërësi. Sipas studimeve, vlerësohet se rritja ekonomike për vitet 2014-2018 do të ishte rreth 3.8%, pra 0.7 pikë përqindje më e lartë se norma faktike.

Masat e para të marra për uljen e parasë cash lidhen kryesisht me përmirësime ligjore, të cilat në vitet në vijim do të pasohen nga zhvillime infrastrukturore dhe nga kultivimi i kulturës financiare të popullsisë. Këto përmirësime kanë për qëllim të akomodojnë risitë teknologjike në fushën e pagesave, të rrisin efikasitetin nëpërmjet nxitjes së konkurrencës, si dhe të sigurojnë transparencë dhe mbrojtje për konsumatorin.

Banka e Shqipërisë pret që në terma konkretë, ky projektligj vlerësohet se do të nxisë ndjeshëm konkurrencën në treg dhe do të promovojë shërbime inovative, mbështetur gjithashtu edhe me një regjim të kujdesshëm nga pikëpamja e mbrojtjes së konsumatorit. Së fundi, por jo më pak e rëndësishme, projektligji synon edhe zgjerimin e ofrimit të shërbimeve nga bankat në të gjithë territorin shqiptar (përfshirë zonat rurale)./monitor.al/