Shpallet përsëri konkursi për borde në katër kompani të ujësjellësit që ishin anuluar një ditë më parë

Sekretari i Përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit ka anuluar konkurset për Bordet e katër ndërmarrjeve publike të shpallura më 15 korrik 2020.

Ndërkaq, vetëm një ditë më pas në web faqen e Qeverisë së Kosovës u dha njoftimin për shpalljen e po të njëjtave konkurse.

Konkurset janë shpallur për Drejtorë të Bordeve të  Ndërmarrjeve Publike Qendrore të:  NPH Ibër Lepenc Sh.A, kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtina Sh.A, Prishtinë, kompania Rajonale e Ujësjellësit  Radoniqi  Sh.A, Gjakovë, kompania Rajonale e Ujësjellësit Mitrovicë  Sh.A, Mitrovicë.

Reklama e sponzorizuar

Në njoftimin për anulim të publikuar gjatë të martës nuk ishte dhënë ndonjë sqarim se pse ishte bërë anulimi i këtij konkursi, duke qenë se vazhdimisht ishin bërë kërkesa që qytetarët e interesuar të aplikojnë në konkurset për Ndërmarrje Publike.

Në një përgjigje për Telegrafin, nga Sekretariati i Zyrës së Kryeministrit kanë thënë se anulimin e konkursit e kanë bërë për tri arsye.

Nga Sekretariati kanë thënë se anulimi është bërë me qëllim që të ketë emërime më kualitative.

“Anulimi është kryer me qëllim që të kemi emërime kualitative, bazuar në merita e profesionalizëm, dhe proces të ligjshëm. Ne besojmë qe ri-shpallja e konkurseve do te nxisë numër shumë më të madh të aplikimeve nga ana e profesionistëve për shkak të rritjes së besimit në institucione. Një gjë të tillë e kemi parë edhe me konkursin e ZRRE-se me ri-shpalljen e të cilit kemi pranuar 3 herë më shumë aplikime”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e tyre.

Po ashtu, ndër arsyet të cilat Sekretariati i ka dhënë për anulimin e konkurseve ka qenë edhe vjetërsira e konkursit mbi një vit.

“ Arsyet e anulimit të konkurseve janë: Vjetëria e Konkursit mbi një vit, kryeministri i Republikës së Kosovës, Kryetari i Kuvendit dhe Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut më 17 qershor 2021 nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet Kuvendit të Republikës së Kosovës, Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut përfaqësuar nga Ambasada Britanike, me qëllim të rekrutimeve kualitative në pozitat e larta drejtuese”, thuhet në përgjigje.

Ndërkaq, një tjetër arsye e anulimit të këtij konkursi është edhe sekandidatëve që kanë aplikuar në konkursin e vitit 2020 ju ka skaduar afati ligjor i vlefshmërisë së dokumenteve verifikuese për dokumentet  siç janë: verifikimi nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nëse ata kane qenë politikisht aktiv në tri vitet e fundit, verifikimi i Certifikatave që nuk janë nën hetime nga organet e drejtësisë, verifikimi nga ana e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve/Thesarit të Shtetit, nëse kanë qenë të emëruar politik tri vitet e fundit dhe vjetërsia e Deklaratave nën Betim të cilat u nënshkruan para 15 muajve nga ana e aplikuesve”.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli përmes një video-mesazhi rreth dy javë më parë i kanë bërë thirrje qytetarëve që të aplikojnë në konkurset publike.