Bitcoin i afrohet sërish 44,000 dollarëve

Bitcoin i është rikthyer fitimeve në sesionin e djeshëm, duke iu afruar sërish nivelit të 44,000 dollarëve, ndërsa tregu është në pritje të të dhënave mbi punësimin në SHBA, që do të japin një panoramë më të qartë mbi vendimet që do të marrë Rezerva Federale, javën e ardhshme. Analistët shprehen se dy kriptomonedhat më të mëdha në botë, bitcoin dhe ethereum po stabilizohen në këto nivele, ndërsa shumë shpejt mund të rriten edhe më tej.

Ndër zhvillimet e tjera, El Salvadori po synon bitcoin dhe kripto-milionerët në përpjekjen e saj për të tërhequr banorë afatgjatë në vend. El Salvadori nisi të enjten fushatën e quajtur “Freedom VISA”, duke ofruar rezidencë për një maksimum prej 1000 pesonash në vit, të cilët investojnë të paktën 1 milion dollarë në bitcoin ose në “stabilcoins” apo monedha të qëndrueshme.

Pjesëmarrësit e kualifikuar marrin një leje qëndrimi afatgjatë dhe mund të ndjekin procedurat drejt marrjes së shtetësisë së plotë. Një aplikim kushton 999 dollarë të pakthyeshëm në BTC ose në tether (USDT) dhe procesi ka nisur që nga e premtja.

Reklama e sponzorizuar

I gjithë procesi teknik trajtohet nga Tether Global, që është emetuesi i USDT. Kjo nismë është e ngjashme me konceptin e një “Vize të Artë” të ofruar nga disa vende, ku njerëzit e pasur mund të investojnë një shumë të caktuar në obligacionet ose pronat e atij vendi, në këmbim të një leje qëndrimi.

El Salvador bëri histori në shtator 2021, pasi u bë vendi i parë në botë që njohu bitcoin si një monedhë ligjore, ndërsa mban mbi 2700 BTC në thesarin e tij. Këto hapa janë pjesë e një plani më të gjerë për të reduktuar varësinë e El Salvadorit nga dollari amerikan dhe për të luftuar hiperinflacionin duke tërhequr burime më të reja të ardhurash./Scan tv/