Prishtinë, 18 tetor – Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) në mbledhjen e fundit, të mbajtur javën e kaluar ia ka dhënë lejen e operimit SOWI KOSOVO L.L.C., kompani kjo për prodhimin e energjisë elektrike nga turbinat e erës.
Kjo kompani që nga dita e nesërme do të fillojë do ta ushtrojë aktivitetin e saj në pjesën e parë të projektit 105 megavatësh, ose Parkut të energjisë me erë në Shalë të Bajgorës , i përbërë nga 27 turbina me fuqi secila nga 3,45 megavatë.
Pjesa e parë e këtij projekti e emërtuar si Selaci 1 përbëhet nga 9 turbina të prodhimit të energjisë elektrike me erë me një kapacitet prej 34.45 MW, përcjell Buletini Ekonomik.
Duhet theksuar se projekti me fuqi prej 105 megavatësh, i ndërtuar në Shalë të Bajgorës, praktikisht është fare në fund të finalizimit.
Tashmë janë kryer në tërësi të gjitha punët, pra janë finalizuar të tre fazat tërësisht (Selaci 1, që do të fillojë nesër prodhimin, Selaci 2 dhe Salaci 3) dhe në to ka ditë që kanë filluar testimet dhe provat për t’ia nisur edhe në to prodhimit.
Pra, aktualisht edhe për Selacin 2 dhe 3 po pritet të lëshohen të gjitha lejet e nevojshme nga ZRRE Kosovës për të nisur prodhimin, në mënyrë që pastaj të fillojnë provat dhe testimet edhe për këto faza, të cilat pritet të fillojnë punën posa të merren lejet e nevojshme përkatëse.
Projekti i energjisë elektrike në bazë të erës në Shalë të Bajgorës jetësuar nga Kompania gjermane ‘NOTUS ENERGY’, që është kontraktuesi kryesor.
Kompania gjermane është kontraktuar t’i bëjë të gjitha punët, që do të thotë ta dorëzojë projektin me çelsa në dorë.
Kostoja e Projektit të Shalës së Bajgorës për ndërtimin dhe implementimin e projektit të energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës me “çelsa në dorë”, janë investuar gjithsej 185 milionë euro.
Sipas Atlasit të Erës të KFË-së, në Kosovë ka mundësi relativisht të mira për prodhimin e energjisë elektrike.
Pos Shalës janë identifikuar me kohë si vende potencialisht të favorshme për prodhimin e energjisë elektrike edhe disa vende të tjera, e që janë Çyçavica, Zatriqi, Budakova, Kitka dhe Kozhica, ku do të kishte mundësi reale të ndërtohen kapacitete prodhuese të energjisë elektrike me fuqi diku rreth 600 megavatë./Buletini Ekonomik/