Sfidat e KEK-ut në përballje me krizën energjetike: Kosovës B i zgjatet jeta deri më 2045

Është e vërtetë që në Kosovë akoma nuk ka nisur të përjetohet kriza energjetike siç po reflektohet në shumë vende të Evropës. Por, kriza energjetike që tash e një kohë po vërdalloset rreth e qark Kosovës, ka aktualizuar shumë çështje dhe nevojat që edhe te ne të mendohet më shumë për të gjetur mënyra dhe rrugë për ta sfiduar këtë krizë. Ndër to, KEK-u ka aktualizuar domosdonë për zgjatjen e jetës së kapaciteteve ekzistuese të prodhimit të rrymës.

 

Mehmet GJATA

Reklama e sponzorizuar

Kriza energjetike që tash e një kohë po vërdalloset rreth e qark Kosovës, ka aktualizuar shumë çështje dhe nevojat që edhe te ne të mendohet më shumë për të gjetur mënyra dhe rrugë për ta sfiduar këtë krizë. Është e vërtetë që në Kosovë akoma nuk ka nisur të ndihet dhe të përjetohet kjo krizë siç po reflektohet në shumë vende të Evropës. Kriza e egër energjetike ka javë që është shpërfaqur dhe ka gjetur shtrat, madje edhe në shtetet e fuqishme ekonomikisht siç është Italia, Holanda, Gjermania, Britania e Madhe dhe të tjera, prandaj është reale pritshmëria dhe brengosja se edhe vendi ynë do të përfshihet në një mënyrë apo tjetër nga kjo krizë.

Ç’është e vërteta, Kosova ka krejtësisht tjetër strukturë të prodhimit të energjisë elektrike nga shumica e shteteve të Evropës. Saktësisht, 94 për qind e prodhimit të energjisë elektrike që prodhohet nga kapacitetet tona, burim ka thëngjillin, dhuratë në sasi kolosale të natyrës. Ndërkohë, kriza po reflekton dhe po shprehet ashpër te prodhuesit e energjisë elektrike me gaz e naftë, si pasojë e ngritjes enorme të çmimeve, në raste edhe 5-6 fish krahasuar me çmimet e deritashme të gazit.

Nje hendikep tjetër i sistemit elektroenergjetik të Kosovës, pos prodhimit të rrymës nga qymyri, që ka kohë që shikohet me sy kritik nga perëndimorët, për çka janë krijuar kritere e standarde të nduarnduershme dhe të ashpra për ta parandaluar këtë prodhim, paraqitet edhe mungesa e fleksibilitetit të prodhimit, përkatësisht ngurtësia e tejskajshme e prodhimit të bazuar thuaja vetëm në qymyr. Por, për sitemin tonë energjetik një minus jo të vogël e paraqet edhe variaconi-lëvizshmëria e theksuar e konsumit verë-dimër. Për shkak të mungesës së potencialit industrial, pra fabrikave që do të shpenzonin konstant rrymën si dimrit si verës, për shkak të ritmit të punës së tyre përditë e në çdo stinë, te ne dominojnë konsumatorët e grupit të amvisërisë, të cilat konsumojnë shumë energji dimrit dhe gjatë ditës, ndërsa natën dhe gjatë verës theksueshëm më pak. Kjo shpërputhje e konsumit e bënë sistemin elektroenergjetik të paqëndrueshëm dhe e vë në vështirësi serioze në shumë raste KOSTT-in.

Në anën tjetër, kapacitetet e prodhimit të energjisë elektrike të ripërtëritshme në Kosovë janë akoma simbolike, thuaja të papërfillshme edhe me finalizimin e Parkut të energjisë me erë në Shalë të Bajgorës, që pritet të nisë punën në muajin e ardhshëm. Pra, tani për tani, nuk mund të llogaritet shumë në to për ndonjë ndihmesë më serioze për stabilizimin e sistemit elektroenergjetik në kohët kur energjia është më e kërkuar, ta zëmë në kohë piku, ose edhe të ndonjë mungese të paparashikueshme.

Këto janë disa nga arsyet që në KEK, autoritet vendimmarrëse si dhe ekspertët në këtë kompani, janë të preokupuar dhe të angazhuar më seriozisht për të siguruar më shumë prodhim vendor, për të qenë sa më pak të varur nga importi me çmime të aplikuara tashmë dhe të paralajmëruara si çmime stratosferike në Evropë dhe në botë. Këto përpjekje dhe angazhime janë sfidë goxha e vështirë për ta tejkaluar për punonjësit e KEK-ut.

Kapacitetet e blloqeve aktive në termocentralet e Kosovës (dy blloqet e Kosovës B dhe tri blloqet e Kosovës A- A3, A4 dhe A5), saktëson për Buletinin Ekonomik, inxhinieri i elektroteknikës, Luigj Ymeri, aktualisht drejtor operativ në KEK dhe mbi 20 vjet i angazhuar në Korporatën Elektroenergjetike të Kosovës (KEK) si inxhinier dhe drejtor shumëvjeçar, janë diku mbi 1, 000 megavatorë (saktësisht 1. 070 megavatorë).

Blloqet e termocentraleve Kosova B bashkarisht kanë kapacitet mbi 600 megavatë në gjenerator, ndërsa në rrjet kapaciteti i tyre është 520 megavatë. Secili bllok, pra ka kapacitetin në rrjet 260 megavatorë.

Në anën tjetër, Kosova A, që nga pas luftës ka operuar me tri blloqe A3, A4 dhe A5, të cilat bashkarisht kanë kapacitet në rrjet prej 550 megavatësh. Kapaciteti  i A1 është 200 megavatorë në gjenerator, ndërsa në rrjet 180. Kapaciteti i A4 është krejt identik me A3. Ndërsa A5 ka kapacitet në gjenerator 210 megavat, ndërsa në rrjet 190. Por, këto blloqe rëndom prodhojnë më pak energji. Kapaciteti i prodhimit këtyre ditëve i blloqeve të Kosovës A është: A3 dhe A4 në gjenerator 150 megavat-orë, ndërsa në rrjet 110, ndërsa te A5 kapaciteti në gjenerator është 150 dhe në rrjet 130 megavatorë. Këto janë kapacitetet aktuale në termocentralet Kosova A, tashmë e stër-stërvjetëruar dhe në Kosova B- e vjetëruar bukur shumë. B-ja, siç dihet, ka nisur prodhimin më 1979.

Ndërsa konsumi aktual i Kosovës sillet pak a shumë te 750 megavatëshi, ndërsa gjatë pikut dhe në raste gjatë sezonit të dimrit, konsumi shkon edhe në 1280 megavatorë. Shihet, pra që Kosova gjatë dimrit dhe në raste të pikut ka goxha mungesë të energjisë elektrike, të cilën duhet importuar domosdo për t’i plotësuar nevojat kosovare me rrymë.

Për të arritur një stabilitet dhe qëndueshmëri të sistemit elektroenergjetik për një periudhë dy-tre deceniesh, në mungesë të një kapaciteteti të ri elektroenergjetik, termocentralet Kossova A (tri blloqet që ende janë në prodhim) duhet të riparohen rrënjësisht, ose siç thonë më me dëshirë ekspertët në KEK, të rindërtohen, ose të mbyllen.

“S’ka tjetër alternativë”, thotë Luigj Ymeri.

Rreziqet për të vazhduar punën në këto kushte në Kosovën A janë shumë të mëdha dhe ato tashmë disa herë i ka bërë publike Buletini Ekonomik. Ndryshe qëndron puna me Kosovën B. Këto termocentrale, përkundër vjetërsisë reale të tyre mund të punojnë edhe disa vite të mira pa ndonjë problem. Ymeri është konkret. Me dy- tre projekte goxha të mëdha riparuese Kosovës B mund t’i zgjatet jeta edhe për 25 vjet. Pra, po që bëhen riparimet e planifikuara në to, Kosova B mund ta shtyjë me prodhim deri më 2045, thotë Ymeri.

Për të rivitalizuar mirë Kosovën B dhe për t’i përmbushur standardet e BE-së për prodhimin e energjisë në bazë të qymyrit, në Kosovën B duhet të ndërrohen filtrat, të cilët që nga fillimi i punës nuk janë ndërruar asnjëherë. Me ndërrimin e filtrave të B-së, përkatësisht instalimin e filtrave të rinj, teknologji më moderne, dhe fjalë e fundit e teknikës, do të bëhej reduktimi i pluhurit në minimum. Dhe nëpërmjet ndërhyrjes –riparimit të procesit të djegjes reduktohen maksimalisht NOX. Ndërsa, nëpërmjet ndërrimit të një impianti që planifikohet me projekt tjetër nga ai i ndërrimit të filtrave, reduktohet SOK.

Projekti për ndërrimin e elektrofiltrave dhe reduktimin e NOX është tashmë i rumbullaksuar edhe financiarisht. Fondi prej 76, 4 milionë eurosh, mjete të nevojshme për kryerjen e këtyre dy projekteve rivitalizuese në Kosovën B, është i siguruar tërësisht nga BE-ja. Por nisja e punëve për realizimin e këtyre projekteve është shtyrë për shkak të pandemisë. Ka qenë e planifikuar që të nisë puna më 2020 dhe është shtyrë për 2021 për shkak të COVID 19. Dhe sërish është shtyrë për shkak të pandemisë për ta riplanifikuar nisjen e punëve më 1 shkurt 2022. Parashihet që këto projekte, ndërrimi i elektrofiltrave dhe ndërhyrja në procesin e djegies për ta reduktuar NOX në Kosovën B të përfundojnë më 15 tetor 2023. Të gjitha punët dhe mbikëqyrjen e punëve do t’i bëjë BE-ja me ekipe të veta të specializuara. Ky është, pra projekt i BE-së, ndërsa KEK-u është vetëm përfitues, sqaron Ymeri.

Projekti tjetër, i ashtuquajturi FDG (SOX)-ndërrimi i impiantit të nevojshëm për reduktimin e SOX parashihet të kushtojë rreth 100 milionë euro dhe të vihet në funnksion, pra të kryhet si projekt më 1 janar 2028. Tash për tash është në proces të përgatitjes dhe është futur në procedurat shqyrtuese të BE-së.

Këto janë synime reale dhe fare të mundshme për t’i realizuar, por edhe të domosdoshme për t’i pasur rreth 600 megavatorë energji elektrike nga Kosova B, me të cilën KEK-u nuk ka probleme edhe tani, por ato do të eliminoheshin në tërësi deri në vitin 2045.

Kosova A është çështje krejt tjetër dhe ajo, siç tha drejtori operativ i KEK-ut, Luigj Ymeri, ose duhet të rindërtohet, ose të mbyllet fare. Nuk ka tjetër alternativë. /Buletini Ekonomik/