Prej 238.1 milionë euro sa ishin në total të hyrat e sektorit bankar në periudhën janar-shtator të këtij viti, rreth 65 milionë euro ishin të hyrat nga jointeresi, apo të hyra nga tarifat e shërbimeve.
Mirjeta Shabani
Mbyllja e degëve bankare dhe, si rrjedhojë, rritja e gamës së shërbimeve të shtrenjta që kryhen online, duket se ka ndikuar në ‘trashjen’ e fitimeve të bankave nga tarifat për shërbime. Për nëntë muaj, nga janari deri në shtator të këtij viti, të hyrat nga kjo kategori ishin 64.2 milionë euro, me një rritje substanciale krahasuar me vitin paraprak, kur kishte po kaq të hyra për tërë vitin.
Në vitet e fundit, bankat në Kosovë duket se po e shohin më me leverdi të orientohen tek të hyrat nga shërbimet e ndryshme, që janë më të sigurta dhe me më pak risk. Kështu nga gjithsej 238.1 milionë euro sa kanë qenë të hyrat e sektorit bankar për nëntë muaj, prej tyre 166.5 janë të hyra vetëm nga interesi, duke përfshirë interesin nga kreditë që ka rezultuar të jetë 158.1 milionë euro në këtë nëntëmujor, interesi nga letrat me vlerë prej 7.1 milionë eurove dhe nga interesi i plasmaneve me bankat 1.7 milionë euro.
Ndërkaq, të hyrat nga jointeresi arritën në 64.2 milionë euro. Por çka janë të hyrat nga jointeresi dhe cilat të hyra përfshihen në këtë kategori?
Të hyrat nga jointeresi janë të gjitha tarifat që iu paguhen bankave në Kosovë për shërbimet që i marrin konusmatorët nëpër sportelet e bankave, tarifat dhe komisionet e ndryshme, si dhe të hyrat e tjera operative.
Nga kjo kategori, bankat në Kosovë këtë nëntëmujor, nga janari deri në shtator 2021, kanë realizuar të hyra prej 64.2 milionë eurove. Në krahasim me vitin 2020 për të 12-muajt, kur të hyrat nga jointeresi ishin në vlerën e 65.5 milionë eurove, ky vit po del të jetë më ‘i frytshëm’ pasi vetëm deri në shtator kemi 64.2 milionë euro të hyra, pa i llogaritur edhe tre muajt e tjerë të vitit, për të cilët ende nuk janë bërë llogaritë.
Në ueb faqen e BQK-së, ku janë të publikuara të gjitha të hyrat e sektorit bankar, përshkruhet se përderisa të hyrat nga jointeresi për nëntë muajt e parë të vitit 2021 janë në shifrën e 64.2 milionë eurove, shpenzimet e së njëjtës kategori, pra shpenzimet nga jointeresi janë në vlerën e vetëm 32.6 milionë eurove. Nga kjo i bie që bankat në Kosovë kanë arritur të realizojnë një fitim të pastër prej 31.6 milionë eurove vetëm nga kjo kategori, duke mos përfshirë këtu të dhënat që priten në vazhdim edhe për tre muajt e fundit të vitit, tetor-nëntor-dhjetor, përcjell Buletini Ekonomik.
Kundrejt të hyrave prej 238.1 milionë euro dhe shpenzimeve operative prej 147.9 milionë eurove, gjithsej 90.1 milionë euro janë fitime të pastra neto për bankat për nëntë muaj operim në tregun bankar këtë vit në Kosovë.
Prej të gjitha të hyrave, 7.3 milionë euro janë gjithashtu të hyra që vijnë nga rivlerësimi. Procesi i rivlerësimit ka të bëjë me pasuritë dhe detyrimet jo-monetare në monedhë të huaj që maten me vlerë të drejtë, me ç’rast rivlerësohen në monedhë funksionale në kursin e këmbimit në datën kur është përcaktuar ajo vlerë e drejtë, ku diferencat nga valutat e huaja që rrjedhin nga rivlerësimi njihen si fitim ose humbje. Pra, në këtë rast fitimi nga diferencat në valuta, si proces rivlerësimi, në këtë nëntëmujor është 7.3 milionë euro.
Pas tyre, 60.6 milionë euro prej totalit të të hyrave nga jointeresi, i takojnë kategorisë Tarifa dhe Komisione, kurse 3.6 milionë euro të tjera janë të kategorisë Shpenzime tjera operative.
Në vitin e kaluar, ndonëse ishte viti i pandemisë, bankat kishin realizuar të hyra prej 279.3 milionë euro, prej të cilave 212.2 milionë euro ishin të hyra nga interesi dhe 65.5 milionë tjera të hyra nga jointeresi. Ndërkaq, fitimi neto i tyre gjatë 2020-s kishte qenë në vlerën e 79.9 milionë eurove. Më 2020, krahas 65.5 milionëve që kishin ardhur nga jointeresi, shpenzimet për këtë kategori ishin 61.1, duke iu mbetur bankave fitim neto 4.4 milionë euro.
Ndërsa, nëse bëjmë llogaritë duke krahasuar të dhënat e vitit 2019 me vitin 2020, fitimi neto i bankave për atë periudhë ishte më i lartë më 2019-n deri në 86 milionë euro krahas 79.9 milionëve më 2020, kurse të hyrat nga kategoritë ishin më të ulëta.
Kështu, më 2019, të hyrat e sektorit bankar kishin arritur në 263.2 milionë euro, prej të cilave 200.3 milionë ishin nga interesi dhe 60.6 milionë tjera ishin nga të hyrat nga jointeresi. Po në këtë vit, shpenzimet nga jointeresi ishin 37.3 milionë euro, kurse fitimi nga kjo kateogri ishte në vlerë të 23.3 milionë eurove.
Edhe para vitit 2019, fitimet neto nga kategoria e jointeresit kishin qenë në shifra shumë të larta, si p.sh më 2018 ishte 32.6 milionë euro, ndërsa më 2017 ishte 41.7 milionë euro. /Buletini Ekonomik/