Njëmbëdhjetë banka komerciale të cilat operojnë aktualisht në Kosovë, kanë arritur të shënojnë fitim rekord për vetëm 8 muaj. Profiti neto i tyre së bashku vetëm deri në fillim të shtatorit arriti në mbi 80 milionë euro.
Në krahasim me muajin korrik 2021, ku profiti neto i tyre ishte në shifrën e 66 milionë eurove, ato vetëm në gusht e rritën fitimin për 14 milionë euro, përcjell Buletini Ekonomik.
Ndërkohë, në muajin qershor, kjo shifër e profitit të bankave ishte 55.8 milionë eurove, ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, pra gusht 2020, profiti neto i tyre ishte llogaritur 51.4 milionë euro.
Të hyrat nga interesi po ashtu ishin më të lartat në muajin gusht, të cilat arritën në 150 milionë euro, në krahasim me muajin korrik të 2021-s kur ishin raportuar 129 milionë euro. Krahas të hyrave, shpenzimet operative të bankave në gusht ishin në vlerën e 131.9 milionë eurove.
Bazuar në raportet mujore të sistemit financiar të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), në muajin qershor të hyrat nga interesi ishin në vlerën e 110 milionë eurove, kurse në muajin gusht të vitit të kaluar (2020), ato ishin në vlerën e 139.9 milionë euro.
Vlera e aseteve të bankave në gusht ishte 5 miliardë e 748 milionë euro, kurse kreditë e lëshuara nga këto institucione financiare arritën në vlerën e 3 miliardë e 524 milionë eurove.
Prej të gjitha kredive të lëshuara, 1 miliardë e 323 milionë euro ishin të lëshuara për ekonomitë familjare, dhe mbi 2 miliardë euro tjera u lëshuan për korporatat jofinanciare.
Kthimi mesatar në asetet e bankave ishte në një përqindje prej 2.5%, ndërsa Kthimi mesatar në kapital prej 21.0%.
Në anën tjetër, Raporti i likuiditetit ishte 41.1% kurse raporti mes kredi/depozitë u shpreh në një përqindje prej 75.7%.
E depozitat e qytetarëve nëpër këto institucione financiare në fund të gushtit 2021 arritën në 4 miliardë e 655 milionë euro, në krahasim me 4 miliardë e 18 milionë sa ishin në gusht të 2020-s.
Ndërkohë, normat efektive të interesit në kredi vazhduan të kenë luhatje muaj pas muaji. Në gusht të 2021-s, norma efektive e interesit në kredi ishte 5.7%, për ekonomitë familjare ishte 6.0%, prej të cilave për ato konsumuese ishte 6.5%, ndërsa për kreditë hipotekare ishte 4.8%, kurse për korporatat jofinanciare ishte 6.5%.
Krahasuar me vitin e kaluar në gusht, kur norma në kredi ishte 6.1%, te kreditë e ekonomive familjare që ishte 6.3%, prej të cilave për ato konsumuese 6.5% dhe për ato hipotekare që ishte 5.4%, ky vit (2021) po vlerësohet me pikë pak “më të ulta” të normave efektive të interesit në kredi.
Ndryshe, numri i bankave që funksionojnë në Kosovë aktualisht është njëmbëdhjetë (11), prej të cilave nëntë banka janë me kapital të huaj dhe vetëm dy banka janë me kapital vendor.
Gjithsej numri i të punësuarve në të gjitha bankat komerciale është 3 mijë e 370 punëtorë. (Mirjeta Shabani) /Buletini Ekonomik/