Rënia e lirës godet importuesit turq – Shumë sektorë, përfshirë farmacitë, në mungesë të produkteve

Lira turke, që ndodhet vazhdimisht në trazira, ka sjellë rritjen e kostove në shumë industri dhe ka goditur rëndë bizneset imporutese të vendit. Turqia është përfshirë në rënie të madhe të valutës që në fillim të këtij viti, me lirën që ka humbur thuajse 25% të vlerës kundër dollarit amerikan, që është zhvlerësimi më i madh mes ekonomive në zhvillim.

Zhvlerësimi i valutës ka sjellë rritjen e kostove në shumë industri, përfshirë importet e barnave që janë tejet të nevojshme.  Turqia varet ndjeshëm nga importi i barnave dhe shumë ilaçe që prodhohen në vend, kanë nevojë për materiale të importuara. Tashmë, shumë barna ndodhen në mungesë dhe kompanitë mjekësore nuk po përballojnë dot rritjen e kostove.

Sipas Shoqatës Turke të Farmacistëve, furnizimi i rreth 650 tipeve të ilaçeve është ndikuar në Turqi. “Jemi tashmë në mungesë të barnave për sëmundje si reumatizma, tensioni i lartë, kanceri dhe depresioni.  Madje kemi mungesa edhe për ilaçe për gripin”- tha Nazmiye, një farmaciste në Ankara për Reuters.  Përveç kësaj, zhvlerësimi i lirës ka shkaktuar humbje të mëdha për kompanitë që importojnë pajisje mjekësore.  “Importi i pajisjeve mjekësore është biznes me rrezik të lartë. Më parë kompanitë mund të bënin një fitim prej 10-20%, por tashmë mezi dalin pozitiv prej rënies së lirës dhe inflacionit”- tha Metin Demir, kryetari i Shoqatës së Punëdhënësve të Industrisë Shëndetësore./SCAN TV/

Reklama e sponzorizuar