Për 10 muaj Policia e Kosovës ka inicuar 763 raste të falsifikimit të parave

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, vetëm nga janari deri në tetor të këtij viti janë inicuar 763 raste falsifikimi të parave. Ndonëse raste të tilla falsifikimesh ishin inicuar edhe në vitet e kaluara, shifrat e inicimeve ishin më të ulëta në raport me vetëm 10 muajt e këtij viti. Kështu, gjatë tërë vitit 2019 ishin inicuar 591 raste të falsifikimit të parave, ndërkohë që në vitin 2020 numri i rasteve të raportuara ishte 489.

Blendrita Avdiu

Pothuajse çdo ditë në Kosovë raportohet për raste të falsifikimit të parave nga ana e qytetarëve.

Reklama e sponzorizuar

Nga Policia e Kosovës (PK) kanë konfirmuar për Buletinin Ekonomik, se vetëm nga muaji janar i këtij viti deri në tetor, janë inicuar gjithsej 763 raste të falsifikimit të parave.

Sipas tyre, dukuria e njëjtë ka qenë prezente edhe viteve të kaluara, pasi që nga viti 2019 e deri më tani janë trajtuar 1 mijë e 852 raste falsifikimi të parave. Nga të dhënat e Policisë së Kosovës, vetëm gjatë vitit 2019, policia kishte inicuar 591 raste të tilla, ndërkohë që në vitin 2020 numri i rasteve të raportuara të parave të falsifikuara ishte 489.

“Të gjitha këto raste janë hetuar dhe në bashkëpunim me autoritetet kompetente janë kompletuar për adresim tek organet e drejtësisë për vendime të mëtejme”, thuhet në përgjigjet zyrtare të Policisë.

Ndërkohë, siç thonë edhe në Policinë e Kosovës, rastet e raportuara, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me falsifikimin e parave, PK-ja  i trajton duke u bazuar në ligjet e aplikueshme në vend dhe në konsultim me Prokurorinë ndërmerr të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme ligjore, duke kryer edhe hetime dhe ekzaminime relevante me kompetentët për kompletimin dhe procedimin e rasteve në organet e drejtësisë.

Sa i përket parandalimit të rasteve të tilla penale, nga Policia thonë se përveç tyre, rol të madh luajnë edhe qytetarët dhe institucionet relevante biznesore apo financiare, të cilët duke raportuar me kohë rastet e tilla, lehtësojnë punën e organeve kompetente në ndërmarrjen e masave ligjore në mënyrë sa më efektive dhe efikase.

“Ne në vazhdimësi kemi ndërmarr veprime konkrete për parandalim dhe luftimin e rasteve të tilla si ”falsifikimi i parasë”. Gjatë viteve të fundit Policia e Kosovës ka realizuar operacione policore, ku janë arrestuar persona të dyshuar dhe janë konfiskuara para të dyshuara si të falsifikuara”, përfundojnë ata.

Ndërsa, sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), gjatë këtij viti janë identifikuar një numër prej 943 kartëmonedhash dhe 2 mijë e 671 monedha të falsifikuara, bazuar në raportin e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë.

Po kështu, sipas të dhënave të BQK-së, për dallim nga vitet paraprake kur kartëmonedhat më të falsifikuara kanë qenë ato të prerjes prej 50 dhe 100 eurove, në vitin 2020, kartëmonedhat më të falsifikuara kanë qenë ato të prerjes prej 5 eurosh.

Kurse, në vitin 2019, bazuar poashtu në të dhënat e publikuara nga BQK-ja nga raporti i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, kartëmonedha më e falsifikuar ka qenë ajo e prerjes prej 100 euro, e cila përbënte rreth 73.3 për qind të të gjithë numrit të kartëmonedhave të falsifikuara të tërhequra nga qarkullimi, ndërkohë që denominimet në vlerë prej 500 euro, 200 euro dhe 50 eurove përbënin rreth 18.6 për qind të gjithë numrit të kartëmonedhave të falsifikuara. Tutje, pjesa tjetër e denominimeve ishin kryesisht te denominimeve prej 20 euro, 10 euro dhe 5 euro, që përbënin rreth 9.5 për qind të të gjithë numrit të kartëmonedhave të falsifikuara.

Këtë vit, sipas pohimeve të zyrtarëve të institucioneve financiare në vend, kartëmonedhat më të falsifikuara në Kosovë janë 5 euro dhe monedha 2 euro. /Buletini Ekonomik/