40% e kosovarëve jetojnë në varfëri energjetike

Edhe pse me çmimin më të lirë të rrymës në Evropë, ndër nëntë palët kontraktuese të Komunitetit të Energjisë, Kosova ka numrin më të madh të amvisërive që jetojnë në varfëri energjetike, apo deri në 40 përqind, ndërsa Mali i Zi më të ulët, apo rreth 8-15%.

Kështu thuhet në studimin e ri që adreson varfërinë energjetike tek anëtarët e Komunitetit të Energjisë, ka raportuar Balkan Green Energy News.

Sipas përkufizimit, varfëria energjetike i referohet individëve, amvisërive apo komuniteteve që nuk kanë çasje dhe nuk mund të mbulojnë mjaftueshëm energji elektrike për nevoja bazike.

Reklama e sponzorizuar

Për shkak të mungesës së të dhënave të sakta dhe për shkak të konfidencialitetit të të dhënave, ky studim ka përllogaritur përqindjen e amvisërive me varfëri energjetike në mënyrë të saktë vetëm në katër palë kontraktuese: Mal të Zi 8-15%, Serbi 7-22%, Ukrainë 13-18%, dhe pjesërisht, Gjeorgji – deri në 24.6%

Për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, studimi ka paraqitur vetëm shifra të përafërta.

Deri në 37 përqind të të gjitha amvisërive në Shqipëri vuajnë nga varfëria energjetike, krahasuar me Kosovën ku kjo shifër arritë në 40% dhe Maqedoninë e Veriut, në 33 përqind.

Sipas po të njejtit raport, praktikat e subvencionimit të konsumatorëve të cenueshëm nuk sigurojnë mbështetje për të gjitha amvisëritë që jetojnë në varfëri energjetike.

Raporti ka theksuar se palët kontraktuese të Komunitetit të Energjisë i pëkufizojnë konsumatorët e cenueshëm duke u bazuar në gjendje sociale, të ardhurat dhe gjendjen shëndetësore, duke lënë mënjanë efiçiencën e energjisë, gjininë dhe nevojat për energji elektrik.

Sipas raportit, një nga mangësitë e kornizave rregulluese ka të bëjë me maasat që zbatohen për të ndihmuar konsumatorët që jetojnë në varfëri energjetike.

‘Palët kontraktuese zbatojnë vetëm masa që përkrahin të ardhurat për të mbrojtur konsumatorët e cenueshëm. Këto masa zvogëlojnë varfërinë energjetike vetëm përkohësisht, pa ndikuar në shkaktarët kryesorë të saj’, ka thënë Sekretariati.

Masat e rekomanduara përfshijnë përkrahjen për masa të efiçiencës së energjisë në ndërtesa, zëvendësimin e pajisjeve elektrike, përmirësimin e sistemeve të ngrohjes dhe përkrahjen e burimeve të ripërtëritshme të energjisë.

Raporti i ri ka propozuar që këto masa të përfshihen në planet kombëtare të energjisë dhe klimës (NECP-të) dhe në planet kombëtare të veprimit për efiçiencë të energjisë. /kosovo.energy/