Kosova nisë negociatat me Maqedoninë e Veriut për t’ia shitur 3 milionë tonë thëngjill

Ministria e Ekonomisë ka konfirmuar për Gazetën Express se në nivelin politik ka vullnet që Kosova t’ia shesë 3 milionë tonë thëngjill Maqedonisë së Veriut.

Kërkesa e Maqedonisë së Veriut për të siguruar rezerva të thëngjillit ka ardhë pas vizitës së delegacionit të shtetit fqinj në Kosovë.

“Maqedonia e Veriut ka kërkuar të sigurojë rezerva të thëngjillit për nevoja të saj. Kjo kërkesë është bërë nga ana e Ministrisë së Ekonomisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ESM, gjatë vizitës së delegacionit në Kosovë. Ministria e Ekonomisë e Republikës së Kosovës ka pranuar të fillojë një diskutim/ konsultim rreth modaliteteve të një marrëveshjeje potenciale. Nga niveli politik është dhënë një aprovim në vullnet të mirë që kompanitë të thellojnë bashkëpunimin dhe këto detaje teknike t’i sqarojnë në negocim e sipër”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Ekonomisë dhënë Gazetës Express.

Reklama e sponzorizuar

Reuters ka raportuar se Maqedonia e Veriut po planifikon të blejë tre milionë ton thëngjill nga Kosova për të furnizuar termocentralet e saj kjo pasi mungesa e prodhimit vendas dhe rritja e çmimeve të energjisë në Evropë e bëjnë atë të përballet me një krizë energjetike.

Ministri i Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi është takuar me homologen kosovare, Artane Rizvanolli dhe drejtorin e KEK-ut, Nagip Krasniqi.

Bekteshi ka njoftuar para dy javësh se kanë filluar negociatat për importimin e thëngjillit nga Kosova.

“Për ta tejkaluar çdo krizë sigurisht se kërkohet bashkëpunim dhe me ministren Rizvanolli u dakorduam që bashkëpunimin tonë të shkëlqyeshëm ta thellojmë edhe më shumë në të ardhmen dhe ta tejkalojmë sa më shpejtë edhe sfidën me krizën energjetike! Nga sot ne filluam edhe negociatat për importin e thëngjillit nga Republika e Kosovës, ku paraqitëm edhe një draft verzion të Memorandumit për bashkëpunim! Shpresoj që pas shqyrtimit të të gjithë kapaciteteve dhe nevojave të të dyja vendeve të arrijmë deri te një marrëveshje konkrete me çka do të ndikojë drejtpërdrejt në tejkalimin e krizës energjetike në të dy vendet”, ka shkruar Bekteshi.

Akoma nuk dihen detajet e kësaj marrëveshjeje.