A duhet ta deklarojnë pasurinë punëtorët e ATK-së dhe Doganës?

Euro

Prej vitit të ardhshëm listës së zyrtarëve publik që do ta deklarojnë pasurinë i shtohen mjekët dhe profesorët universitarë. Kështu ka vendosur ditë më parë Qeveria e Kosovës, mirëpo kjo iniciativë e ekzekutivit për t’u bërë e plotfuqishme pritet të miratohet edhe në Kuvendin e Kosovës.

Ky vendim i Qeverisë “Kurti 2” është komentuar si shantazh ndaj sindikalistëve të shëndetësisë dhe arsimit, të cilët po kërkojnë rritje të pagave nëpërmjet Ligjit të ri.

 

Reklama e sponzorizuar
Është thënë së fundi se nëse mjekët dhe profesorët obligohen ta deklarojnë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, pse mos të obligohen edhe punëtorët e Administratës Tatimore të Kosovës dhe të Doganave të Kosovës, institucione këto që menaxhojnë me të hyra vjetore prej rreth 2 miliardë euro.

Megjithatë nga Lëvizja “Fol”, e cila e monitoron punën e Agjencisë Kundër Korrupsionit, këtë po e shohin si të pa nevojshme.

Erblin Hoxha nga Lëvizja Fol ka thënë për Front Online se AKK-ja nuk ka kapacitete që të mbikëqyr më shumë zyrtarë që e deklarojë pasurinë.

“Jo vetëm pse s’është e rëndësishme qe ata te deklarojnë, por sepse e kemi te pamundur ta mbikëqyrim procesin. Momentalisht AKK-ja nuk ka mundësi me monitoru me shume se 20% te aplikantëve. Ne kemi propozuar që as punëtoret e Doganës e as te ATK-se nuk do duheshin te jene pjese e deklarimit te pasurisë”, ka thënë ai.

Sipas tij, kjo do ta vështirësoj edhe më tej punën e kësaj Agjencie me këto kapacitete ekzistuese që i ka.

 

“Tash duke  e rritur numrin e deklaruesve, ju vështirësohet puna AKK-së në monitorimin e procesit”, ka thënë Hoxha.