Hermetizmi në disa ministri të Qeverisë Kurti

Dikasteret qeveritare nuk e kanë asnjë arsye të vetme për të qenë të mbyllura, të izoluara nga komunikimi me opinionin dhe të fshehen nga publiku, i cili para afro një viti u besoi shumë njerzëve të kësaj Qeverie dhe atyre që përbëjnë ministritë, tani hermetikisht të mbyllura. Ia dha votën thuaja plebishitare, ia besoi për mbi 50 për qind, që pos presidentit historik Ibrahim Rugovës, nuk i kishte besuar kaq shumë asnjë subjekti tjetër politik.

Mehmet GJATA

Qeveria aktuale, kjo Kurti 2, me ministritë e saj më konkretisht, nuk e kanë asnjë arsye të vetme për të qenë të mbyllura, të izoluara nga komunikimi me publikun, madje hermetikisht, sikur të ishin ndonjë agjenci zbulimi, apo edhe më shumë, ndonjë institucion misterioz, tërësisht tabu për publikun. Nuk kanë pra arsye të fshehen nga publiku, ta mbulojnë dhe ta heshtin të vërtetën, qoftë e hidhur, qoftë e gëzueshme dhe ngazëllyese, që i bie se nuk kanë asnjë arsye ta injorojnë publikun, i cili para afro një viti u besoi shumë njerëzve të kësaj Qeverie dhe atyre që përbëjnë ministritë, tani hermetikisht të mbyllura. Ia dha votën thuaja plebishitare, ia besoi për mbi 50 për qind, që pos presidentit historik Ibrahim Rugovës, nuk i kishin besuar kaq shumë asnjë subjekti tjetër politik.

Dhe, po këta njerëz, që publiku dhe njerëzit e Kosovës u besuan kaq shumë, tani, po ua kthejnë këtë besim, praktikisht, me mbyllje, që përkthehet ‘sjellje brutale ndaj publikut’ dhe nënçmim që shijon goxha i hidhur dhe fare i pa sens. Kjo po ndodhë me mbylljen hermetike të ministrive përkatëse karshi kosovarëve, njerzëve që kanë shpresuar dhe vazhdojnë të shpresojnë akoma tek ndryshimi i dëshirueshëm dhe i pritshëm në këtë. Nuk duam, dhe as që na shkon ndërmend të shkelim normat tona profesioniste dhe kodeksin e gazetarisë për të akuzuar për këtë mbyllje të gjitha ministritë dhe tërë personelin e angazhuar në to. Prandaj, po veçojmë ato ministri, të cilat gjatë punës sonë në këta muaj të vitit 2021 (të sqarohemi, tashmë jam gazetar veteran me mbi 40 e sa vjet në gazetari), u treguan dhe u dëshmuan skajshmërisht dhe pafundësisht të mbylluara, madje hermetike deri në pakuptimësi.

Nga Ministria e Bujqësisë, ta zëmë në asnjë pyetje të drejtuar qoftë me shkrim, qoftë gojarisht me telefon, por shumica e pyetjeve me shkrim, për shkak të kërkesës thuaja ultimative të punonjësve kompetentë dhe të angazhuar për marrdhënie me medien, nuk kemi marrë përgjigje para 3-4 javësh pritjeje, megjithë azhurimet e panumërta nga ana jonë për të marrë përgjigjet, që kjo ministri dhe të tjerat, janë ligjërisht të obliguara t’i kthejnë te mediat kërkuese. Edhe në pyetjet më ordinere, siç është ajo se “sa sipërfaqe janë mbjellë deri tani, në kohën optimale të fushatës së mbjelljeve” në portalin ku jam i angazhuar unë, dhe që trajton ekskluzivisht vetëm çështje ekonomike, zhvillimore, agrare, industri dhe shërbime të ndryshme, pa një fije të vetme politikë, kemi pritur me javë dhe me muaj të tërë. Madje edhe përgjigje që doemos është dashur të vijë gjatë fushatës së mbjelljeve vjeshtore, ka ndodhur që të kthehet disa javë pas përmbylljes së fushatës së mbjelljeve vjeshtore.

Dhe tani për ta konkretizuar edhe më shumë papërgjegjësinë dhe paskrupulltësinë e Ministrisë së Bujqësisë po theksojmë edhe këtë rast: Ka afro, një muaj, më saktë me 11 tetor që zyrës për informim i kam dërguar pyetjen më të thjeshtë të mundshme, pa asnjë tendencë, bile me qëllim të promovimit medial të kthimit të një vëmendje më të madhe të kësaj Qeverie kah agrari kosovar, i nëpërkëmbur, i lënë në harresë dhe i margjinalizuar gjithmonë, dhe prap, ende nuk kemi marrë fare dhe asnjë përgjigje. Ja për cilin interesim timin, po bëhen thuaja një muaj që Ministria e Bujqësisë më vërdallos dhe më bënë pengesa reale për të kryer punën time: “Më duhen të dhëna për shumën e buxhetit për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) për vitet 2015, 2016, 2017, 2018, 2019 dhe 2020. Po për këto vite veç e veç, më duhen edhe shifrat e subvencioneve për bujqit kosovarë?”.

Portali im dhe unë personalisht kam qenë i inetresuar ta trajtojë buxhetin e sivjetshëm prej 100 milionësh për agrarin kosovar duke e krahasuar me buxhetet e kërkuara për këto vite nga Ministria e Bujqësisë. Dhe këto të dhëna akoma nuk na i ka ofruar kjo ministri, sado që 5-6 herë deri tani e kemi azhuruar kërkesën tonë te përgjegjësja per informim e kësaj ministrie. Lexuesi le të gjykojë vet se a ka pasur tendencë, ndonjë hile eventuale, apo ndonjë prapaskenë a farsë në kërkesën tonë.

Aspak më mirë sa i përket marrëdhënieve me medien nuk qëndron as Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ku me muaj të tërë nuk kanë kthyer fare, asnjë përgjigje rreth interesimeve tona. Me muaj, në këtë ministri qëndrojnë pyetjet e Buletinit Ekonomik rreth çështjeve teknike të rrugës Prizren-Tetovë dhe projektit eventual të fizibilitetit, rrugë kjo e akceptuar nga njëri nga ministrat e kësaj Qeverie “se do të përfundojë gjatë këtij mandati të Qeverisë Kurti”. Po ashtu asnjëherë nuk morëm përgjigje as për shkaqet e prolongimit të afateve dhe të kostos së ndërtimit të autostradës Prishtinë-Gjilan, autorrugë kjo e cila tashmë është e mbuluar nga heshtja, misterioziteti si dhe shumë paqartësi, të cilat do t’i dijë publiku kosovar.

Thuaja identike është çështja edhe me Mistrinë e Ekonomisë, ku është e pamundur të merret ndonjë përgjigje për interesimet tona. Dhe, kur ndodhë kështu, e kujtoj një reagim të një analisti më serioz nga shoqëria civile, të plasuar në mediet sociale javë më parë, i cili gjithë këto fakte tona rreth mbylljes së dikastereve qeveritare i komenton kështu: “ Me dhjetëra kronika të lajmeve kam parë këtyre ditëve që përfundojnë me “…por ministria/qeveria nuk ka kthyer përgjigje”.

Nuk po presim me i zgjidhë problemet 20 vjeçare brenda një viti qeverisje, por si arsyetohet kjo mbyllje hermetike ndaj publikut se? Po, pse kjo mbyllje kaq hermetike nga “Qeveria e shpresës”, kujt i duhet në këtë Qeveri kjo mbyllje, që është përbuzje, nëpërkëmbje dhe tallje e vrazhdë me publikun që nënkupton votuesin, në radhë të parë, i cili pa menduar shumë votoi për ndryshimin, për shpresën, për transparencën dhe informimin për rrjedhat e zhvillimeve ekonomike e bujqësore, që nuk i kishin në qeveritë e kaluara kosovare. Dhe, informimi transparent, i premtuar publikisht gjatë gjithë fushatës zgjedhore nuk po zbatohet nga ministritë e përmendura të kësaj Qeverie. Madje, edhe pse nuk është bërë ndonjë analizë ku do të shërbenin shifrat dhe përqindjet për krahasimin e transperencës ndërmjet “qeverisë së shpresës” dhe atyre të kaluarave, në këtë mënyrë siç po ngurrohet të bashkëpunohet me publikun rreth informacionit, gjegjësisht, si janë mbyllur shumë ministri të Qeverisë aktuale, me të drejtë druhet që asgjë më mirë se në të kaluarën nuk është duke ndodhur sa i përket informimit dhe transparencës. Ndoshta edhe më keq. Nuk kemi të dhëna, poashtu, se a është i informuar për këtë hermetizëm brutal të dikastereve të Qeverisë së vet kryeministri Kurti. Mirëpo, ai do të duhet të dijë për këtë damkë që ia servojnë ministritë aktuale kësaj Qeverie. Nëse e di nëse pajtohet me këtë gjendje kryeministri, edhe më keq. Koha ecën. Shpejtë vijnë zgjedhjet e radhës. Ky publik është mjaftueshëm i emancipuar sa të dijë fare mirë të dënojë çdo papërgjegjësi, çdo neglizhencë dhe mendjemadhësi e arrogancë të kujtdo qoftë, sikundër që diti të ndodhë më 2019 dhe me 2021. /Buletini Ekonomik/