“Kosova do t’i ketë dy sfida në këtë periudhë, ta ndërtojë një strategji që ia mundëson daljen nga shfrytëzimi enorm i linjitit dhe ta ndërtojë një strategji efikase për vendosjen e burimeve alternative për të gjeneruar energji nga uji, dielli dhe era. Nuk do të jetë e lehtë por nuk ka rrugë tjetër”, thotë Luan Shllaku në intervistën për Buletinin Ekonomik. Tri arsye pse Shllaku është kundër rindërtimit të termocentraleve Kosova A dhe pse në vizionet e tij parasheh edhe ndërtimin e një termocentrali me gaz…
(Intervista e Buletinit Ekonomik me Luan Shllakun, drejtor ekzekutiv në KFOS- Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur)
Mehmet GJATA & Mirjeta SHABANI
Luan Shllaku, një entuziast për mjedisin e pastër, dhe siç thotë vet, një realist, me një përvojë dhe përkushtim të gjatë në mbrojtjen e ambientit, më herët drejtor i “Gazifikimit” në ish-Elektroekonominë e Kosovës, tani e sa vite si drejtor ekzekutiv në KFOS, ka folur pa dorëza për Buletinin Ekonomik për zhvillimet dhe ngecjet në sektorin energjetik të Kosovës. Ai thotë se jemi duke u futur në një epokë të re të zhvillimit të energjetikës, kur vendet që shiheshin me përparësi, tashmë nuk janë të tilla, duke e pasur fjalën për vendet e pasura me burime të pa-përtëritshme, siç është Kosova me 14 miliardë tonë rezerva të thëngjillit. Dhe, sipas Shllakut, askush nuk do të heq dorë lehtë nga resurset që ka, dhe atëherë vendet që i prijnë demokracisë në botë, do të veprojnë në mënyra të ndryshme t’i shfrenojnë epshet nacionale të vendeve që nuk duan të respektojnë rregullat e përbashkëta.
Prandaj, siç thotë Shllaku, Kosova do t’i ketë dy sfida në këtë periudhë, ta ndërtojë një strategji që ia mundëson daljen nga shfrytëzimi enorm i linjitit dhe të ndërtojë një strategji efikase për vendosjen e burimeve alternative për të gjeneruar energji nga uji, dielli dhe era.
“Nuk do të jetë e lehtë por nuk ka rrugë tjetër”, thotë ai në intervistën për Buletinin Ekonomik.
Shllaku përmend tri arsye pse është kundër rindërtimit të termocentraleve Kosova A. “Do të përmendi vetëm tre arsye qenësore: nuk ka integrim ne Europë nëse vazhdojmë të eksploatojmë thëngjillin, nuk mund të vazhdojmë me ndotjen enorme që përkeqëson shëndetin publik dhe nuk do të mundemi të përfitojmë nga linjiti në të ardhmen, sepse do të jetë energjia më e shtrenjtë, pasi Bashkimi Europian së shpejti do të aplikojë taksat e karbonit për ata që vazhdojnë me termocentrale.
Luan Shllaku në intervistën ekskluzive për Buletinin Ekonomik, shpjegohet se pse deklarohet në favor të gazjellësit për të cilën u bë jo pak zhurmë në opinionin kosovarë dhe nga autoritetet zyrtare të Kosovës dhe pse në vizionet e tij energjetike parasheh edhe një termocentral me gaz.
“Une jam një entuziast i mjedisit të pastër, por para së gjithash jam realist. Gazi ndotë shumë pak – shkarkon ndotës përgjysmë më pak se thëngjilli. Por kjo nuk është e gjitha, gazi nuk ka mihje sipërfaqësore të thëngjillit, nuk ka mbetje të milionave të tonelatave të hirit, nuk ka deponi hiri, nuk ka ndotje enorme të ujërave nëntokësore dhe sipërfaqësore etj. Pra, për një periudhë transitore, derisa nuk “rehatohemi” me energji që e gjenerojmë nga burimet alternative, është shumë, shumë më i përshtatshëm se të vazhdojmë me thëngjillin”, thotë Shllaku.
Intervistën e plotë të Luan Shllakut mund ta lexoni në vijim:
Buletini Ekonomik: Si e shihni të ardhmen e afërt dhe të largët energjetike të Kosovës? Kah do t’ia mbajë dhe në ç’drejtim duhet të shkojë Kosova pas rekomandimeve të G20-shit dhe bërjes me dije se nuk do të ketë fonde për kapacitete energjetike në bazë të qymyrit?
Luan Shllaku: Kosova nuk do ta ketë të lehtë të përcaktohet. E tërë bota ka shumë sfida energjetike, ata që kanë burime fosile edhe ata që quhen të varfër dhe nuk kanë as thëngjill as naftë dhe gaz. Është e qartë se jemi duke u futur në një epokë të re të zhvillimit të energjetikës, kur ato që shiheshin përparësi, tash nuk janë më të tilla. E kam fjalën për vendet e pasura me burime të pa-përtëritshme, siç është Kosova me 14 miliardë tonë rezerva të thëngjillit. Në këtë kohë kur janë më se evidente rreziqet që i vijnë njerëzimit nga ngrohja globale që lidhen me shfrytëzimin e këtyre resurseve, është e qartë se të gjithë duhet të ndryshojmë – e nuk do të jetë e lehtë. Meqenëse askush nuk do të qon dorë lehtë nga resurset që ka, atëherë vendet që i prijnë demokracisë në botë, do të veprojnë në mënyra të ndryshme t’i shfrenojnë epshet nacionale të vendeve që nuk duan të respektojnë rregullat e përbashkëta.
Buletini Ekonomik: A do të jetë kritike periudha kohore deri më 2050, kur parashihet të mos ketë më karbon? Në këtë kontekst, a ka potencë financiare Kosova që t’i mirëmbajë sipas rekomandimeve ndërkombëtare dhe standardeve botërore për mbrojtjen e ambientit termocentralet ekzistuese?
Luan Shllaku: Kosova do t’i ketë dy sfida në këtë periudhë: ta ndërtojë një strategji që ia mundëson të dalë nga shfrytëzimi enorm i linjitit dhe të ndërtojë një strategji efikase për vendosjen e burimeve alternative për të gjeneruar energji nga uji, dielli dhe era. Nuk do të jetë e lehtë por nuk ka rrugë tjetër. Nëse duhet të mbesim me Europën e jo me Kinën, Rusinë dhe Indinë, atëherë duhet t’i përfillim rregullat që vendet evropiane i kanë vendosur.
Buletini Ekonomik: Pse jeni kundër rindërtimit të termocentraleve Kosova A?
Luan Shllaku: Ka shumë arsye. Do të permendi vetëm tri arsye qenësore: nuk ka integrim në Evropë nëse vazhdojmë të eksploatojmë thëngjillin, nuk mund të vazhdojmë me ndotjen enorme që përkeqëson shëndetin publik dhe nuk do të mundemi të përfitojmë nga linjiti në të ardhmen, sepse do të jetë energjia më e shtrenjtë, pasi që Bashkimi Europian së shpejti do të aplikojë taksat e karbonit për ata që vazhdojnë me termocentrale.
Buletini Ekonomik: Dhe, pse jeni deklaruar aq me ngulm në favor të gazjellësit për të cilën u bë jo pak zhurmë në opinionin kosovarë dhe nga autoritetet zyrtare të Kosovës?
Luan Shllaku: Keni të drejtë. Gazi është një karburant fosil tjetër, por shumë më i pastër karshi mjedisit. Por duhet ta kuptojmë mirë situatën aktuale energjetike në vend dhe duhet ta mendojmë mirë tranzicionin energjetik. Kosova nuk ka burime alternative të mjaftueshme, është vendi me më së paku ujëra në Evropë, kemi klimë kontinentale me numër të kufizuar të ditëve me diell dhe erë. Sigurisht se në të ardhmen nuk do të mund të mbulojmë nevojën për energji nga këto burime vetëm. Pra duhet bërë atë që bënë e tërë bota: duhet diversifikuar burimet energjetike, me sa më pak fosile. Më duket se do të jetë një gabim i madh nëse, të paktën në periudhën e tranzicionit në 1 deri në 2 dekadat e ardhshme, nuk ndërtojmë infrastrukturë të përdorimit të gazit natyror, me të cilin mund ta zbusim nevojën për energji. Mendoj se ndërtimi i rrjetit të gazit mund të na sjellë dy gjëra qenësore: e para, mund ta zvogëlojmë dukshëm konsumin e energjisë elektrike që e përdorim për ngrohje, duke i ndërtuar 6-7 ngrohtore në qendrat tona më të mëdha, që do t’i ngrohin amvisëritë gjatë dimrit. Në këtë mënyrë mund ta zvogëlojmë konsumin e energjisë elektrike edhe deri në 300 MW, që është njëjtë si ta ndërtojme një TEC të ri. E dyta, nëse e ndërtojmë një termocentral me gaz, i cili do të ndotë mjedisin disa herë më pak se ato me linjit, do të mundemi me i “hekuros” gjaë dimrit konsumet enorme, sepse janë termocentrale që shumë kollaj vëhen në punë dhe ndalen. Pra, gazi do të na mundësojë të zhvillojmë një sistem alternativ që gjeneron mjaft energji për nevojat tona.
Buletini Ekonomik: Në vizionet e juaja energjetike parashihni edhe një TC me gaz. Një aktivist dhe “luftëtar” i kahershëm dhe thuaja fanatik i mbrojtjes së ambientit preferon TC nga gazi, edhe pse dihet se edhe ky burim energjetik është goxha ndotës i mjedisit. Si e shpjegoni këtë kontradiktë?
Luan Shllaku: Unë jam një entuziast i mjedisit të pastër, por para së gjithash jam realist. Gazi ndotë shumë pak – shkarkon ndotës përgjysmë më pak se thëngjilli. Por kjo nuk është e gjitha, gazi nuk ka mihje sipërfaqësore të thëngjillit, nuk ka mbetje të milionave të tonelatave të hirit, nuk ka deponi hiri, nuk ka ndotje enorme të ujërave nëntokësore dhe sipërfaqësore etj. Pra, për një periudhë transitore, derisa nuk “rehatohemi” me energji që e gjenerojmë nga burimet alternative, është shumë, shumë më i përshtatshëm se të vazhdojmë me thëngjillin.
Buletini Ekonomik: A është funksionale infrastruktura e gazifikimit të një pjese të mirë të Kosovës, e ndërtuar qysh në vitet 70-80-ta, për bartjen e gazit të prodhuar atëbotë në Obiliq (duke gazifikuar thëngjillin) deri në Shkup. Ky gazsjellës (trasa e tij) që ka shërbyer në ato vite, mendoni se është mjaft i qëndrueshëm për ta bërë të njëjtën punë edhe sot?
Luan Shllaku: Ky gazsjellës e ka atë që kushton më seë shumti: trasen ku kalon, që është një lehtësim i madh. Është normale që duhet instaluar gypa të rinj. Por kjo trase shtrihet pothuajse në tërë Kosovën, aty ku duhet të shkojë patjetër, në Maqedoni të Veriut, në Sharrcem, në Termokos, në Ferronikel, në Trepçë.
Buletini Ekonomik: Ku, sipas jush, do të shfrytëzohej gazi natyror pos prodhimit të rrymës në Kosovë?
Luan Shllaku: Në 6-7 qendra urbane për ngrohje dhe në objektet më të mëdha industriale. Me këtë zëvendësim të rrymës elektrike me gaz, konsumi do të bjerë dukshëm dhe ky është qëllimi i çdo strategjie të re energjetike.
Buletini Ekonomik: Pse në këto vite, sidomos pas luftës, Kosova dështoi praktikisht në ndërtimin e sektorit energjetik, duke u lënë në gjysmë të rrugës shumë iniciativa, vizione, projekte dhe ç’është më keq pse dështoi Kosova për të pasur investitorë të huaj në këtë sektor?
Luan Shllaku: Në rend të parë dështuam se ndërtimi i TEC me linjit është anakronik. Investitorët do të duan të fitojnë nga ky biznes i tyre, por me futjen e taksave të karbonit, çmimi i energjisë nga TEC me linjit bëhet më i lartë se ai nga burime të tjera – dhe s’ka fitim për ta. Poashtu, ne deshëm të ndërtojmë pa futur asnjë cent tonin në këto investime, e kjo i bëri investitorët e jashtëm ta shohin mirë llogarinë e tyre, sepse ata e dijnë atë që politikanët tonë se kanë mësuar kurrë, se pas vitit 2030 do të jetë shumë jo rentabile ta operosh një TEC me linjit. Ata ikën nga ne, jo për shkak se dikush i përzuri, por e panë llogarinë sidomos pas marrëveshjes së Parisit dhe Marrëveshjes Europiane të Gjelbër.
Buletini Ekonomik: Pse Kosova asnjëherë në këto vite nuk arriti ta ketë një strategji reale afatgjate të zhvillimit të energjetikës?
Luan Shllaku: Strategjitë e Kosovës, ato afatgjate, e patën fatin e të gjitha strategjive që i bëmë në të gjithë sektorët. U bënë të paimplementueshme, dhe poashtu ishin jo-reale. Mbi të gjitha, kishte shumë pak kapacitet brenda të gjitha qeverive tona deri tash për të implementuar ndonjë projekt më serioz, e energjetika është lëmi shumë komplekse që kërkon shumë ekspertizë dhe përkushtim, që nuk i kam parë deri tash.
Buletini Ekonomik: Z. Shllaku, çka mendoni për mundësitë e Kosovës për të siguruar energji elektrike nga burimet e rinovueshme?
Luan Shllaku: Është drejtimi dominant nga duhet të shkojmë. Ne duhet te nxjerrim maksimumin nga keto burime, por ne disa dekada para nesh do te na duhet te bejme edhe intervenime te medha. Vazhdoj të mendoj se Kosova duhet të bëjë marrëveshje sa më parë (jemi duke u vonuar shumë) me Shqipërinë, për të ndërtuar një hidrocentral mbi një lum në Shqipëri. Mund ta bëjmë së bashku ose vetëm ne, por jo më të vogël se 400-500 MW fuqi.
Buletini Ekonomik: Ku i shihni ju mundësitë më të mëdha, te energjia me erë, të ajo solare apo ndonjë burim tjetër të energjisë së ripërtëritshme, kur dihet se Kosova nuk ka ujë të mjaftueshëm për t’u mbështetur te ndonjë hidrokapacitetet të efektshëm energjetik?
Luan Shllaku: Ne duhet të bëjmë nga të gjitha, sa më shumë që mundemi.
Buletini Ekonomik: Dhe krejt në fund, kur mendon Luan Shllaku se kosovarët do të vetëdijësohen mjaftueshëm për të pasur një ambient të pastër sikundër në të gjitha shtetet normale dhe a do ta kemi edhe ne ndonjëherë këtë ambient të pastër?
Luan Shllaku: Ky është një proces që zakonisht zgjatë shumë. Ka punë për të gjithë, prej secilit qytetar veqmas, e deri te institucionet tona, e në rend të parë ato arsimore, mediat, institicionet zhvillimore. Këtij angazhimi duhet t’i prijnë politikat e shëndosha mjedisore të cilat duhet t’i përkrahim secili nga ne. /Buletini Ekonomik/