Parku Inovativ në Prizren, joshës dhe atraktiv për bizneset kosovare

Kampi ku qëndruan gati 20 vjet ushtarët gjermanë, në hyrje të Prizrenit, sot është shndërruar në një park inovativ për shumë biznese nga Kosova e diaspora. “Ideja e parkut është bashkimi i të gjithë akterëve brenda një hapësire për të mundësuar zhvillimin e bizneseve të qëndrueshme”, thotë Hans-Jurgen Cassens, drejtor i Parkut.

Mehmet GJATA & Agon SINANAJ

Prizren, dhjetor 2020 – Që në hyrje të Parkut të Inovacionit dhe Trajnimeve (IPT) në Prizren, bie në sy pedantëria, përpikëria dhe pastërtia gjermane. Gjithçka në vendin e vet. Ndërtesat e shumta, me fasada të hijshme dhe arkitekturë joshëse të renditura, po edhe të shpërndara gjithandej hapësirës së Parkut, fare pak ta përkujtojnë ambientin ushtarak të para disa vitesh.

Reklama e sponzorizuar

Tani ambienti brenda këtij Parku duket atraktiv, i bukur dhe joshës, i shtrirë dhe njëkohësisht fare pranë qendrës së qytetit të Prizrenit.

“Kampi shtrihet në një sipërfaqe prej 40 hektarësh. Është që tani atraktiv dhe tërheqës për nga pamja e jashtme, por edhe ambientet e brendshme të këtyre ndërtesave janë komode dhe të disejnuara si është më së miri”, thotë Edona Zogu, zyrtare për media, duke shpjeguar se këtu gjithçka thuaja po rinovohet. Po krijohen ambiente thuaja të reja dhe shumë atraktive. Sipas saj është vlerë e shtuar e Parkut inovativ shtrirja gjeografike dhe fare pranë qendrës së Prizrenit.

Pas tërheqjes nga Parku të ushtarëve gjermanë të KFOR-it dhe përcaktimit me marrëveshje të dyanshme ndërmjet Gjermanisë dhe Qeverisë së Kosovës, që ky ambient megjithë infrastrukturën të “trashëgohet” nga kosovarët me dedikim për krijimin e Parkut Inovativ dhe të Trajnimit, ky mjedis administrohet nga GIZ-i gjerman, me staf të gërshetuar gjermano – kosovar.

Këtu kanë nisur të bëhen renovimet e brendshme të shumë ndërtesave. Dhe këto punë rreth ripërtërirjes së ambienteve në shumë ndërtesa ekzistuese, po vazhdojnë edhe këtyre ditëve, rrëfen për Buletinin Ekonomik Edona Zogu. Ajo tregon se Parku i inovacionit tash e një kohë është i aktivizuar. Tashmë janë akomoduar në disa ambiente edhe kompanitë e para kosovare, të cilat kanë zënë të ushtrojnë veprimtarinë e tyre këtu.

Ideja e Parkut është bashkimi i të gjithë akterëve brenda një hapësire që do ta ndihmonin njëri-tjetrin për të arritur sukses. Aty, krahas bizneseve, do të ketë Universitet, prej nga studentët do të kenë mundësi të punësohen në bizneset e vendosura në park. Tashmë është vendosur Universiteti për Biznes dhe Teknologji (UBT). Në park, do të ketë edhe organizata të shoqërisë civile të cilat do të fasilitojnë bizneset me ekspertizë varësisht prej nevojave.

Mirëpo, ka “një gjë për të cilën nuk bëhet asnjë kompromis”, thotë Hans-Jurgen Cassens, drejtor i Parkut.

“Inovacioni dhe industritë kreative që nuk e ndotin ambientin janë dy kriteret që nuk bëhet kompromis kur vijnë bizneset këtu”.

Stafi i Parkut po analizon kërkesat e shumta dhe po shqyrton mundësitë dhe përparësitë për të parë se cila kompani, apo ndërmarrje do të ketë fatin të vendoset në këto ambiente. Ka goxha do kritere për të fituar të drejtën për t’u akomoduar me biznesin e vet në këtë mjedis biznesor. Shikohen deri në detaje të gjitha përparësitë dhe mangësitë eventuale të të intresuarve dhe pastaj vendoset se kush ku do të vendoset.

Deri tani, më shumë kanë shprehur interesim bizneset fillestare (Start Up) dhe ato që kanë veprimtari teknologjinë informative, por ka edhe të interesuar të tjerë të shumtë nga të gjithë sektorët ekonomik. Kushtet e ofruara janë fare të mira dhe të pranueshme. Çmimi i një metri katror të hapësirës për zyre që u dedikohet bizneseve dhe pronarëve të shërbimeve të ndryshme kushton vetëm 1,5 euro.

“Qëllimi i Parkut është edukimi më i mirë, punësim më cilësor, paga më të mira dhe persepektivë sidomos për rininë. Ky është synimi kryesor”, thotë Cassens, i cili ka marrë drejtimin e Parkut jo më shumë se katër muaj.

Hans-Jurgen Cassens, Drejtor i Parkut

 

Vlerë e shtuar e Parkut do të jetë bashkëpunimi i qiramarrësve brenda kompleksit të Parkut si dhe furnizimi jashtëzakonisht i mirë, stabil dhe pa ndërprerje me energji elektrike si dhe internetin që funksionon fare mirë gjithë kohën. Kabllot për internet janë fiberoptik.

Muhamed Rexhepi, një nga anëtarët e stafit, thotë se nuk ka ngecje fare rreth aktivizimit të Parkut Inovativ. Këtu ka filluar riaktivizimi i punës së dedikuar të Parkut qëkur u tërhoqën ushtarët gjermanë të KFOR-it dhe me ritmin thuaja të planifikuar po vazhdohet të aktivizohet.

“Tashmë janë vendosur 5-6 kompani, por në bazë të interesimit të shfaqur, brenda një kohe të shkurtër do të vendosen këtu biznese dhe ndërmarrje të reja shërbyese. Unë besoj që vlerë e shtuar është vet parku dhe vet ambienti që gjendet brenda parkut. Jemi duke folur për gjelbrim, hapësira të rekreacionit, që jo domosdoshmërisht i gjejmë në parqet tjera ose në zonat tjera ekonomike”, thotë Rexhepi.

Vlerë e shtuar tjetër do të jetë bashkëpunimi ndërmjet bizneseve që vendosen në park.

“Ne e shohim si vlerë të shtuar bashkëpunimin që do të ndodhë brenda qiramarrësve. Shembull e kemi aktivitetin që financohet nga Qeveria e Kosovës – Qendra për Ekselencë Digjitale që ofrojnë printera 3D industrial. Këto do të jenë në shërbim të sektorit privat ose bizneseve që janë brenda këtu për të bërë prototipe të ndryshme. Veçse kanë filluar bashkëpunimet e para”, tregon ai.

Qendra për Ekselencë Digjitale

Pak metra tutje prej objektit ku është e vendosur drejtoria, gjendet kompania “Maker Space”, një hapësirë e cila frekuentohet nga të rinj jo vetëm nga Prizreni por edhe qytetet tjera. Aty është edhe inkubatori ku mund të vendosen bizneset fillestare për të zhvilluar idetë e tyre.

Rexhepi tregon se muajin e kaluar “Maker Space” ka zhvilluar një garë për biznes-planet më të mira, dhe si rezultat disa biznese do të inkubohen në ndërtesën e “Maker Space”.

“Ideja është që ne të ofrojmë edhe inkubim, edhe hapësirë të përbashkët të punës, përmes partnerëve tanë”, thotë tutje Rexhepi.

Nga ana tjetër, drejtori Cassens shprehet i bindur se ky bashkim në një hapësirë, i të gjithë akterëve është modeli më i mirë për zhvillim të bizneseve të qëndrueshme, çka do të ndikonte në zhvillimin ekonomik të vendit, në përgjithësi. Ai thotë se koncepti i Parkut është kuptuar drejt edhe nga institucionet e Kosovës, me të cilat thotë se kanë bashkëpunim të mirë deri më tani.

Hapësira ku është i vendosur Parku, i është dhënë nën menaxhim për 99 vite Parkut të Inovcacionit dhe Trajnimeve, e cila është e regjistruar si OJQ, ndërsa menaxhimin e parkut e bën GIZ-i gjerman bashkë me kosovarët.

“Deri tani kemi pasur bashkëpunim të mirë, por na pret shumë punë”, thotë Cassens nga zyra e tij që ndodhet në një objekt brenda Parkut, që dikur kishte shërbyer për ushtarët gjermanë.

Sot, kjo hapësirë duket krejt ndryshe.