Banka Qendrore e Turqisë tha se ka ndërhyrë në tregun e shkëmbimit të valutave të huaja të premten për të shitur dollarë në kohën kur lira përsëriu iu afrua rekordit të vlerës më të ulët pas shqetësimit të vazhdueshëm rreth politikës së Presidentit Rexhep Erdogan për shkallë të ulët të interesit.
Kjo është hera e tretë brenda vetëm dhjetë ditëve që Banka Qendrore njoftoi për ndërhyrje, pavarësisht rezervave të varfëruara, për shkak të “formacioneve të pashëndetshme të çmimeve”. Dy ndërhyrjet e kaluara u bënë javën që shkoi dhe e mbajtën lirën nën 14 në këmbim me një dollar, shkruan Reuters.
Rreth mesditës së të premtes, një dollar amerikan u këmbye me 13.88 lira, 0.55 më dobët për lirën se të enjten. Vlera në mesditë ra deri në 13.95 lira për një dollar para ndërhyrjes së Bankës Qendrore, afër rekordit të vlerës më të ulët prej 14.00, që u shënua javën e kaluar.
Valuta turke ka pësuar rënie të vlerës prej 46 për qind në raport me dollarin këtë vit, duke e nxitur inflacionin në një ekonomi që varet shumë nga importet.
Presidenti turk vazhdimisht e ka përkrahur uljen e shkallës së interesit përderisa po promovon një plan të ri ekonomik me prioritete rritjen ekonomike, prodhimin dhe eksportin, pavarësisht kritikave të gjera të ekonomistëve për këtë lloj politike.