Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka njoftuar se vetëm deri në fund të muajit tetor 2021, remitencat e pranuara nga diaspora kanë shënuar vlerën e rreth një miliardë eurove, apo më saktësisht gjithsej 956 milionë euro.
Me rastin e konferencës së fundvitit të BQK-së, guvernatori i saj, Fehmi Mehmeti, tha se viti 2021 ka shënuar një ritëm të shpejtë të rritjes së remitencave të dërguara nga diaspora, dhe se është shënuar një rritje vjetore prej 20 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, përcjell Buletini Ekonomik.
“Viti 2021 shënoi një ritëm më të shpejtë të rritjes edhe për remitencat e dërguara nga diaspora në Kosovë. Vlera e remitencave të pranuara deri në fund të muajit tetor 2021 është 956 milionë euro, që paraqet rritje vjetore prej 20.0 përqind”, ka thënë Mehmeti.
Sipas guvernatorit, ekonomia e Kosovës e kishte filluar vitin 2021 me një perspektivë mjaft të pasigurtë, në të cilin masat kufizuese ndaj përhapjes së pandemisë kishin shkaktuar një rënie ekonomike reale të ekonomisë prej 5.3 përqind, e cila paraqiti goditjen më të madhe për ekonominë në 20 vitet e fundit.
Mirëpo, lehtësimi i masave të lëvizjes së qytetarëve brenda dhe jashtë vendit, të cilat rezultuan me një fluks të madh të ardhjes së diasporës për vizitë në Kosovë gjatë muajve të verës, së bashku me politikat mbështetëse të Qeverisë së Kosovës dhe Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për ekonominë, bënë që viti 2021 të karakterizohet me zhvillime mjaft pozitive për ekonominë e vendit, e cila sipas vlerësimeve të fundit të BQK-së pritet të shënojë një normë reale të rritjes prej rreth 9.9 përqind, vlerësoi tutje Mehmeti.
Në periudhën e njëjtë, pra janar-tetor, të viteve të kaluara, shifrat e remitencave të dërguara nga diaspora ishin shumë më të ulëta. Kështu, në muajt janar-tetor të 2020-s, diaspora kishte dërguar në Kosovë remitenca në vlerë të 796.5 milionë eurove, më 2019 705.6 milionë, më 2018-n 662.7 milionë kurse në vitin 2017 të njëjtat ishin në vlerën e 623.7 milionë eurove. (M. Shabani) /Buletini Ekonomik/