Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Ekonomi, ka raportuar kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Ymer Fejzullahu, lidhur me krizën energjetike në të cilën po kalon Kosova dhe shqyrtimin e raportit konsultativ të këtij institucioni, që pasqyron rritjen e tarifave të energjisë.
Gjatë fjalimit të tij para deputetëve, Fejzullahu tha se komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe, nuk janë pasqyruar në raportin konsultativ të ZRRE-së për shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike.
Kjo ka ndodhur pasiqë, sipas ZRRE-së, kjo e fundit është ende duke e zhvilluar procesin gjyqësor me Avokatin e Popullit, rreth shpenzimit të energjisë elektrike në atë pjesë.
Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së theksoi po ashtu se gjatë këtij viti, ZRRE-ja ka hapur shqyrtimin e jashtëzakonshëm në bazë ligjore për caktimin e tarifave, për të reflektuar kostot e sistemeve, pas krizës energjetike.
“Edhe ajo pjesë ka qenë e përfshirë në tarifat e energjisë elektrike deri në vitin 2018. Avokati i Popullit ka ngrit një ankesë dhe e ka paditë ZRRE-në për të cilën jemi në proces gjyqësor. Ajo kosto nga viti 2017, dhjetor të vitit 2017 është hequr apo nuk është barrë e konsumatorëve dhe ajo ka kaluar përmes buxhetit të Kosovës, pastaj është mbuluar nga KOSTT-i dhe ZRRE-ja. Meqenëse ia ka ndaluar gjykata që ta përfshijë këtë kosto, ne nuk e kemi marrë parasysh as në kalkulimet e mëhershme meqenëse jemi në proces gjyqësor”, ka thënë Fejzullahu.
Raporti konsultativ i ZRRE-së për shyqrtimin e tarifave të energjisë është i hapur për publikun deri më datë 28 janar 2022, dhe të gjithë kanë të drejtë t’i dërgojnë komentet dhe sygjerimet e tyre, para kësaj date.
Kujtojmë se nëse i njëjti raport miratohet në të gjitha instancat relevante, tarifat e reja të energjisë elektrike do të hyjnë në fuqi që nga 1 shkurti i këtij viti. /Buletini Ekonomik/