Inspektorati i Tregut ndalon mbi 30 mijë litra vajra motorike jo cilësore

Inspektorati i Tregut ka ndaluar në kufi mbi 30 mijë litra vajra motorike jo cilësore dhe në kundërshtim me standardet e kërkuara.

Sipas njoftimit të MINT, kjo është bërë në zbatim të Vendimit të Ministres së MINT për vajrat motorike, ku pas marrjes së mostrave të vajrave motorike në terminalet doganore dhe në tregun e brendshëm, të njejtat janë testuar në laboratorët e akredituar.

“Në bazë të raporteve të testimit të mostrave të marra në terminalet doganore ka rezultuar që 34.600.00 L (tridhjetë e katërmijë e gjashtëqind litra), vajra motorike (me brende të ndryshme), janë në kundërshtim me Vendimin e MINT, prandaj të njejtat janë kthyer në vendin e origjinës”, thuhet në komunikatë.

Reklama e sponzorizuar

Vajrat Motorike të cilat nuk janë lejuar të vendosen në tregun e brendshëm janë kryesisht me origjinë nga Serbia dhe pjesa tjetër nga Turqia dhe vendet e tjera.

Inspektorati i Tregut gjithashtu gjatë kontrollimit në tregun e brendshëm të Republikës së Kosovës, ka sekuestruar 2,270.00 L (dymijë e dyqind e shtatëdhjetë litra), vajra motorike të cilat janë vendosur në treg pa dokumentacion mbi prejardhje/origjinë, si dhe në rastet kur vajrat motorike janë testuar në laboratori dhe me këtë rast ka rezultuar që ka mospërputhje të përbërjes dhe sasisë të deklaruar në etiketën e produktit.

“E ritheksojmë që procesi i marrjes së mostrave, testimit dhe verifikimit në laborator të akredituar është pa asnjë kosto financiare për bizneset”, thuhet në njoftim./Buletini Ekonomik/