Kapaciteti i prodhimit gjatë këtyre ditëve i blloqeve të Kosovës A ka qenë kështu: A3 dhe A4 në gjenerator 150 megavat-orë, ndërsa në rrjet 110, ndërsa te A5 kapaciteti në gjenerator është 150 dhe në rrjet 130 megavatorë. Pos mungesës evidente të kapaciteteve të prodhimit të rrymës, Kosova ka edhe këto mangësi të tjera që ndikojnë jo pak në stabilitetin e sistemit elektroenergjetik të vendit, struktura e prodhimit të energjisë elektrike, krejtsisht tjetër nga shumica e shteteve të Evropës, mungesa e fleksibilitetit të prodhimit, përkatësisht ngurtësia e tejskajshme e prodhimit të bazuar thuaja vetëm në qymyr dhe variacioni-lëvizshmëria e theksuar e konsumit verë-dimër.
Buletini Ekonomik
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se që nga e premtja (29.01.2022) deri më 27 shkurt, njësia A3 e Termocentralit Kosova A, do të jetë jashtë operimit shkaku i servisimit të tij të rregullt. Këtë e kanë konfirmuar zyrtarët e KEK-ut.
Ata kanë njoftuar se me kapacitetet e tanishme në prodhim (pa A3-shin, pra) do të prodhohen afër 750 megavat orë nga njësitë e tjera (B1 dhe B2 si dhe A4 dhe A5), që do të thotë sërish do të ketë nevojë për më shumë import të energjisë elektrike për të plotësuar nevojat e konsumit të rritur vendit.
Siç dihet, Kosova A, që nga pas luftës ka operuar me tre blloqe A3, A4 dhe A5, të cilat bashkarisht kanë kapacitet në rrjet prej 550 megavatësh. Kapaciteti i A3 është 200 megavatorë në gjenerator, ndërsa në rrjet 180. Kapaciteti i A4 është krejt identik me A3. Ndërsa A5 ka kapacitet në gjenerator 210 megavat, ndërsa në rrjet 190. Por, këto blloqe rëndom prodhojnë më pak energji.
Kapaciteti i prodhimit, këtyre ditëve, i blloqeve të Kosovës A ka qenë kështu: A3 dhe A4 në gjenerator 150 megavat-orë, ndërsa në rrjet 110, ndërsa te A5 kapaciteti në gjenerator është 150 dhe në rrjet 130 megavatorë. Këto janë kapacitetet aktuale në termocentralet Kosova A, tashmë e stër-stërvjetëruar.
Ndërkohë, blloqet e termocentraleve Kosova B bashkarisht kanë kapacitet mbi 600 megavatë në gjenerator, ndërsa në rrjet kapaciteti i tyre është 520 megavatë. Secili bllok, pra ka kapacitetin në rrjet 260 megavatorë.
Në këtë mënyrë, kapacitetet e blloqeve aktive në termocentralet e Kosovës (dy blloqet e Kosovës B dhe tri blloqet e Kosovës A deri më sot- A3, A4 dhe A5), janë diku mbi 1, 000 megavatorë (saktësisht 1. 070 megavatorë), kanë shpjeguar për Buletinin Ekonomik, zyrtarët e KEK-ut.
Ndërsa, prej sot e deri më 27 shkurt 2022, këto kapacitetet do ta kenë mangu prodhimin e bllokut A3 të termocentraleve Kosova A, që siç u tha më lartë është diku rreth 110-120 megavat-orë në rrjet.
Duhet thënë se pos mungesës evidente të kapaciteteve të prodhimit të energjisë elektrike, që në këtë krizë globale dhe me çmime në stratosferë, Kosova ka edhe mangësi të tjera që ndikojnë jo pak në stabilitetin e sistemit elektroenergjetik të vendit. Kosova pra, ka krejtësisht tjetër strukturë të prodhimit të energjisë elektrike nga shumica e shteteve të Evropës. Saktësisht, 94 për qind e prodhimit të energjisë elektrike që prodhohet nga kapacitetet tona, burim ka thëngjillin, dhuratë në sasi kolosale nga natyra.
Ndërkohë, kriza po reflekton dhe po shprehet ashpër te prodhuesit e energjisë elektrike me gaz e naftë, si pasojë e ngritjes enorme të çmimeve, në raste edhe 5-6 fish krahasuar me çmimet e deritashme të gazit. Nje hendikep tjetër i sistemit elektroenergjetik të Kosovës, pos prodhimit të rrymës nga qymyri, që ka kohë shikohet me sy kritik nga perëndimorët, për çka janë krijuar kritere e standarde të nduarnduershme dhe të ashpra për ta parandaluar këtë prodhim, paraqet edhe mungesa e fleksibilitetit të prodhimit, përkatësisht ngurtësia e tejskajshme e prodhimit të bazuar thuaja vetëm në qymyr. Por, për sitemin tonë energjetik një minus jo të vogël e paraqet edhe variacioni-lëvizshmëria e theksuar e konsumit verë-dimër.
Për shkak të mungesës së potencialit industrial, pra fabrikave që do të shpenzonin konstant rrymën si dimrit si verës, për shkak të ritmit të punës së tyre, përditë e në çdo stinë, te ne dominojnë konsumatorët e grupit të amvisërisë, të cilat konsumojnë shumë energji dimrit (në mungesë të alternativave për ngrohje) dhe gjatë ditës, ndërsa natën dhe gjatë verës theksueshëm më pak. Kjo shpërputhje e konsumit e bënë sistemin elektroenergjetik të paqëndrueshëm dhe e vë në vështirësi serioze në shumë raste KOSTT-in.
Në anën tjetër, kapacitetet e prodhimit të energjisë elektrike të ripërtëritshme në Kosovë janë akoma simbolike, thuaja të papërfillshme edhe me finalizimin e Parkut të energjisë me erë në Shalë të Bajgorës, që tashmë ka nisur punën, si dhe me 9 turbinat me erë në Kitkë të Kamenicës, të cilat ka dy vjet që gjenden në prodhim.
Edhe hidrokapacitetet elektroenergjetike aktive që ka Kosova, janë fare të vogla për ta pasur ndonjë ndihmë serioze dhe të efektshme për stabilitetin e sistemit tonë elektroenergjetik. Pra, tani për tani, nuk mund të llogaritet shumë në to, për ndonjë ndihmesë më serioze për stabilizimin e furnizimit të konsumit kosovar në kohët kur energjia është më e kërkuar, ta zëmë në kohë piku, ose edhe të ndonjë mungese të paparashikueshme. /Buletini Ekonomik/