Qeveria dhe Banka e Shqipërisë mundësuan interesa të ulëta të kredive për blerjen e energjisë

Fotografi ilustruese

Në muajin nëntor, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Shqipëri (OSHEE) mori dy kredi në vlerë prej 30 milionë eurosh në sistemin bankar vendas, me qëllim mbulimin e nevojave për blerjen e energjisë elektrike.

Këto huamarrje u mbështetën me vendime të posaçme nga Këshilli i Ministrave dhe nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë.

Në muajin nëntor, Këshilli i Ministrave miratoi dhënien e garancive sovrane për një hua në vlerën e 20 milionë euro nga Banka OTP Albania dhe për një hua në vlerën 10 milionë euro nga Banka Amerikane e Investimeve. Paralelisht, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi një vendim qarkullues për ndryshime të përkohshme në rregulloren për mjaftueshmërinë e kapitalit. Vendimi përcaktonte se, vetëm për vitin 2021, bankave do t’iu lejohet të ponderojnë me peshë rreziku zero kreditë në valutë të huaj për OSHEE, me kusht që ato të jenë të garantuara plotësisht nga qeveria shqiptare.

Reklama e sponzorizuar

Vendimet e mësipërme kanë mundësuar jo vetëm financimin me hua të OSHEE-së, por edhe një çmim shumë më të ulët për huatë. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për muajin nëntor norma mesatare e interesit për huatë e reja në euro të korporatave publike shënoi një rënie të ndjeshme. Për muajin nëntor, interesi mesatar i huave të reja në euro (overdrafte) të kompanive publike ishte 2.24%, niveli më i ulët që nga maji i vitit 2016. Një normë kaq e ulët interesi është mundësuar qartësisht nga zbutja e riskut nëpërmjet ofrimit të garancisë sovrane nga qeveria shqiptare, por edhe vendimi i Bankës së Shqipërisë për të mos kërkuar mbulim me kapital për këto kredi. Në rast se do të aplikohej norma standarde që parashikon rregullorja “Për mjaftueshmërinë e kapitalit” lidhur me këtë klasë asetesh, bankave do t’iu kërkohej një ponderim i kredive me vlerë 100%. Aplikimi i këtij rregulli do të ndikonte negativisht treguesin e mjaftueshmërisë së kapitalit të bankave huadhënëse dhe do të reduktonte hapësirat e tyre për të dhënë kredi të tjera. Kjo përkthehet në kosto dhe, rrjedhimisht, normat e interesit do të kishin qenë ndjeshëm më të larta se niveli mesatar 2.24% i raportuar nga statistikat e Bankës së Shqipërisë.

Statistikat tregojnë se kreditë e reja për korporatat publike arritën në pothuajse 3.7 miliardë lekë për nëntorin, me një rritje pothuajse 30 herë krahasuar me nëntorin e vitit të kaluar. Rritja ka ardhur për shkak të nevojës së kompanive publike të sektorin energjetik për financime me qëllim importin energjisë elektrike dhe shuma përputhet afërsisht me vlerën e dy kredive të garantuara të OSHEE-së.

Nevojat për rritje të importeve të energjisë elektrike dhe shtrenjtimi i çmimeve që nisi në vjeshtë i ka vendosur në sprovë kompanitë e sektorit energjetik në vend. Veç fondeve të alokuara në mënyrë direkte, kriza e çmimeve të energjisë ka shtruar nevojën edhe për të përdorur mekanizmin e garancive sovrane për mbështetjen e kompanive. Kompanitë e sektorit energjetik në vend nuk kanë aftësinë për të siguruar hua nga sektori bankar pa ofrimin e garancisë sovrane nga qeveria shqiptare. Deri më sot, ky mekanizëm është shfrytëzuar kryesisht nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare. Në fund të tremujorit të tretë 2021, vlera e garancive të dhëna nga buxheti në favor të KESH për garantimin e huave bankare kishte vlerën e 4.1 miliardë lekëve. /Monitor.al/