Hykolli: Është koha që të ndryshojmë sa më shpejt pagën minimale

Këshilli ekonomiko-social ka vendosur të diskutojë për pagën minimale dhe për këtë ka formuar dy komisione, njëra prej tyre do të merret edhe me draft marrëveshjen e përgjithshme kolektive.

Paga minimale nuk është ndryshuar për më shumë se një dekadë, pavarësisht rekomandimeve që Këshilli i ka bërë Qeverisë ndër vite.

Atdhe Hykolli, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) në emisionin ‘RTK Story’ tha se komisionet janë duke punuar rreth pagës minimale dhe së shpejti ata do të sjellin një propozim nga hulumtimet që kanë bërë. Ai tha se po ashtu BSPK-ja ka bërë hulumtime por duhet të dëgjojnë edhe rekomandimet e palës tjetër.

Reklama e sponzorizuar

Sipas Hykollit paga minimale prej 170 euro, sa është aktualisht, është e papërballueshme për qytetarët e Kosovës, veçanërisht tani që çmimet e produkteve esenciale kanë lëvizur shumë.

“Komisionet janë duke kryer punën e tyre dhe ne presim që së shpejti ata të na e sjellin një propozim nga hulumtimet që kanë bërë, do të thotë nga çmimet që i kanë lëvizë, të na sjellin neve që ta diskutojmë në mbledhjen e radhës. Zakonisht propozimet ne i marrim nga Komisionet profesionale që janë, komisionet na sjellin mendimet e tyre se sa ka lëvizë paga minimale. Ne si BSPK kemi bërë hulumtime tona, ne i dimë por ne nuk do të thotë që nuk duhet t’i dëgjojmë edhe mendimet e palës tjetër. Tek ne po shkakton shumë problem paga minimale për arsye se nuk është negociuar që nga viti 2011 dhe në anën tjetër çmimet kanë lëvizur shumë, kjo është ajo që ne si partner social që jemi kemi hulumtimet tona, ndoshta për partnerët tjerë ndikon të themi kushtimisht në buxhet, mirëpo kjo nuk është faji i sindikatave por është faji i partnerëve social që prej vitit 2011 nuk kanë marrë një vendim për pagën minimale. Paga minimale është shumë e ulët, 170 euro, ne e dimë se me këtë shumë çfarë mund të bësh në Kosovë”, tha ai.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) tha se paga minimale prej 350 eurove do ta zbuste gjendjen sociale në Kosovë.

“350 euro është një shumë e cila do ta zbus gjendjen sociale në Kosovë. Ne e dimë se çmimet janë ngritë, sidomos për artikuj esencial siç është mielli, vaji dhe tash kohën e fundit edhe energjia elektrike dhe janë të papërballueshme jo vetëm për punëtorinë e Kosovës por edhe për popullin në përgjithësi” tha Hykolli. /RTKlive/