Ministri i Financave, Hekuran Murati ka deklaruar se Kosova mund të krahasohet me Francën e Austrinë, me nivelin e mbështetjes që ka treguar gjatë qeverisja Kurti ndaj qytetarëve. Ai tha se në katër muajt e fundit, janë ndarë rreth 190 milionë euro si përgjigje ndaj rritjes së çmimeve.
Murati ka përmendur një varg masash që Qeveria e Kosovës ka ndërmarë muajve të fundit për t’i mbështetur ekonomikisht qytetarët, duke thënë se pasojat e krizës globale po i vuan edhe Kosova.
“Në total, si përgjigje ndaj rritjes së çmimeve kemi ndarë rreth 190 milionë euro, vetëm në 4 muajt e fundit. Dhe do të vazhdojmë mbështetjen ndaj qytetarëve sepse kjo qeveri është në anën e qytetarëve. Madje, me nivelin e mbështetjes mund të krahasohemi edhe me shtete shumë më të forta ekonomikisht si Franca e Austria. Por nëse i pyet opozitën, ata do të thonë se qeveria nuk po bën asgjë. Madje, edhe fajin për rritjen globale të çmimeve tentojnë t’ia mveshin kësaj qeverie. Por, se si do të kishin qeverisur ata, mjafton të shikohen statistikat e inflacionit. Përkundër kritikave e përshtypjes së krijuar, viti 2021 mezi arrin të futet në vendin e pestë, nëse i krahasojmë vitet me nivelin më të lartë të inflacionit mesatar vjetor. Të dhënat janë marrë nga ASK”, ka shkruar Murati në Facebook.