Ekonomia europiane pati një ngadalësim të ndjeshëm gjatë fundit të vitit të kaluar, në një kohë kur rritja e infektimeve me COVID-19 të shkaktuara nga varianti Omicron përkeqësuan situatën e mungesës së furnizimeve dhe rritjes së çmimeve të energjisë, të cilat sollën uljen e fuqinë blerëse të konsumatorëve.
Rezultati i gjithë kësaj panorame është një dimër ekonomik i pakënaqësisë që mund të mos largohet deri në fund të këtij viti.
Pjesa më e madhe e ngadalësimit ekonomik erdhi nga Gjermania, ekonomia më e madhe e Europës, ku vështirësitë në furnizimin me lëndë të parë frenuan eksportet e industrisë së saj prodhuese. Franca, Spanja dhe Italia patën rritje më të madhe ekonomike.
Në 19 vendet që përdorin Euron, rritja në tremujorin e fundit të vitit 2021 arriti në shifrën 0.3%, tha të hënën agjencia e statistikave e Bashkimit Europian. Ndërkohë, për krahasim, rritja ekonomike në tremujorin korrik-shtator ishte 2.2%.
Rritja vjetore ishte 5.2%, duke treguar që rimëkëmbja ekonomike nga pandemia në Europë ka ecur më ngadalë se sa rimëkëmbja e Shteteve të Bashkuara, ku rritja ekonomike në vitin 2021 ishte 5.7%. Sipas ekonomistëve, rritja e SHBA-së u nxit nga shpenzimet relativisht më të larta të paketave stimuluese federale, krahasuar me ato të qeverive të Europës.
Ekonomia e Europës është kthyer “pothuajse ekzaktësisht në nivelin e saj përpara fillimit të pandemisë”, por kjo e lë atë “shumë mbrapa” SHBA-së, e cila e arriti nivelin e përpara pandemisë që vitin e kaluar. Për më tepër, prodhimi në SHBA është tashmë 3% më i lartë se niveli i tij në fund të vitit 2019, tha Jessica Hinds, ekonomiste për Europën në Capital Economics.
Një arsye kryesore e ngadalësimit të rritjes ekonomike në Europë ishte rritja e rasteve të infektimeve me COVID-19, që sollën vendosjen e kufizimeve të reja të cilat ndryshonin shpesh, duke bërëqë konsumatorët e kujdesshëm të mos shpenzonin para për restorante, hotele dhe argëtim. Përveҫ kësaj, bllokimi i zinxhirëve të furnizimit po e bën të pamundur përmbushjen e kërkesave nga sektori i prodhimit të eurozonës që është i orientuar drejt eksporteve, ndërsa çmimet e larta të naftës, të gazit natyror dhe të energjisë elektrike po rëndojnë mbi bizneset dhe konsumatorët.
Bizneset kanë shfaqur më shumë elasticitet në trajtimin e valëve të njëpasnjëshme të pandemisë, duke bërë që Eurozona të mos bjerë në recesion dhe duke kufizuar papunësinë në nivelin e 7.2%. Por, rritja e ngadaltë ekonomike ka ardhur bashkë me një inflacion të lartë, duke zhvlerësuar rritjen e pagave.
“Kjo sjell reduktim të konsiderueshëm të fuqisë blerëse të konsumatorëve dhe zbeh perspektivat e rritjes,” tha Carsten Brzeski, kreu global i studimeve makroekonomike në bankën ING.
Ngadalësimi i ingranazheve të Europës nuk ka përfunduar ende. Rritja “mund të dobësohet edhe më tepër” në tremujorin aktual, sipas ekonomistëve të bankës UniCredit.
Gjermania, motori i rritjes për Eurozonën, u tkurr me 0.7% në tremujorin e katërt dhe do të futet në recesion nëse rritja ekonomike do të jetë përsëri negative në tremujorin e parë të këtij viti. Dy tremujorë të njëpasnjëshëm me rënie në prodhim janë përkufizimi i recesionit ekonomik.
Ekonomia e dytë e eurozonës, Franca, nga ana tjetër, pati një rritje prej 0.7% gjatë tremujorit të kaluar, me një shifër vjetore të rritjes prej 7%. Ky është niveli më i lartë i rritjes ekonomike të vendit, që nga viti 1969. Shifra e rritjes vjetore u ndikua nga shpenzimet e larta të konsumatorëve dhe rritja e shërbimeve gjatë tremujorit të tretë, periudhë kur shumë aktivitete rifilluan pas qetësisë së pandemisë.
Europa po përballet gjithashtu edhe me pasiguri në lidhje me tensionet për grumbullimin e trupave nga Rusia në kufirin ukrainas, duke shtuar frikën e një pushtimi. Kjo frikë ka bërë që ҫmimi i gazit natyror në Europë të vazhdojë të mbetet jashtëzakonisht i lartë, sepse Rusia është furnizuesi kryesor dhe rezervat nëntokësore të gazit janë të ulëta në të gjithë kontinentin. Deri më tani, Rusia thotë se ka përmbushur kontratat e saj afatgjata të furnizimit, ndërsa analistët spekulojnë se çdo sanksion i vendosur nga SHBA ose BE mund të synojë të shmangë shënjestrimin e drejtpërdrejtë të energjisë ruse.
Analistët parashikojnë që rritja e eurozonës do të përmirësohet në tremujorin e dytë, pas lehtësimit të bllokimeve në zinxhirët e furnizimit.
Ndërkohë, norma e inflacionit në eurozonë ka arritur një rekord prej 5%, duke paraqitur një sfidë për presidenten e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, në takimin që do të kenë politikëbërësit e bankave të enjten. Lagarde pritet të vazhdojë të mbrojë qëndrimin e saj se inflacioni është i përkohshëm dhe se banka nuk do të konsiderojë ende rritjen e normave të interesit, antidotin e zakonshëm ndaj rritjes së çmimeve të konsumit./ Associated Press