Talljet e autoriteteteve të Kosovës dhe cinizmi i KESCO-s pas faturave me çmime stratosferike të energjisë elektrike

Mehmet Gjata

U pa qartë se faturat, pjesërisht me çmime të reja, janë me kosto të papërballueshme për shumicën e kosovarëve të varfër. Janë absolutisht të papërballueshme për pensionistët e shumtë që marrin pensione 100 euro në bazë të moshës, janë të papërballueshme edhe për pensionistët e tjerë, ata që kanë pensione në bazë të kontributdhënies, janë të papërballueshme për shtresat numerikisht të shumta të të gjitha atyre familjeve që jetojnë nga ndihmat sociale, por edhe të shumë e shumë kosovarëve të tjerë varfanjakë, që edhe pa fatura “të fryra” dhe “me gabime”, mezi e përmbyllin muajin.

Mehmet GJATA

Pas marrjes së faturave për shpenzimin e energjisë elektrike me kosto enorme, gjoja deri më 9 shkurt, kur është fuqizuar çmimi i ngritur shumëfish i rrymës në vendin tonë dhe pas ankesave të panumërta të konsumatorëve për çmimet e reja stratosferike, të martën (më 22 shkurt), ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli praktikisht u tall me konsumatorët hallexhinjë. Ajo, si një nga autoritetet më të zëshme në mbështetjen e ngritjes enorme të çmimit të energjisë elektrike dhe të rikthimit të bllok-tarifave, ka thënë dje në Kuvend se “do të kërkojë sqarim publikisht nga KESCO se si është bërë llogaritja e faturave të energjisë elektrike për këtë muaj”, duke shtuar se “KESCO publikisht duhet të dalë me sqarim për mënyrën e llogaritjes së faturave”.

Reklama e sponzorizuar

“Ka pasur paqartësi në fatura. Për këtë pajtohem plotësisht dhe për këtë i bëjë thirrje KESCO-së që të dal publikisht me një sqarim për mënyrën se si janë llogaritur faturat”, tha ministrja.

Rizvanolli e paska pranuar “se në disa fatura janë paraqitur numra më të lartë sesa ato që do të duhej t’i paguanin qytetarët”.

“Sipas diskutimeve që kemi pasur me ZRrE-në dhe shpjegimeve që janë dhënë, tarifat dhe faturat janë llogaritur ashtu siç duhet, por ka paqartësi në fatura dhe shpesh janë paraqitur numra më të lartë sesa ato që duhet t’i paguajnë qytetarët. Nuk është e qartë se cila shifër është fatura finale. Kjo është një gjë që duhet të sqarohet. Ftoj të gjithë qytetarët dhe bizneset që dyshojnë se janë bërë gabime me ose pa qëllim që të ankohen”, tha ajo.

Dhe çka pastaj? Paqartësitë nuk kanë të sosur. Për to, u punua dhe vazhdon të punohet institucionalisht. Ministrja Rizvanolli në paraqitjen e saj para parlamentarëve vetëm sa i konstatoi paqartësitë zinxhirë, që ka të ngjarë që do të shtohen akoma më shumë. Ajo, pos rikonstatimeve, në asnjë çast në diskutimin e saj në Kuvend rreth këtij problemi të mprehtë dhe me pasojë për shumë konsumatorë, nuk tha çka do të bëhet pas kontestimeve të këtyre çmimeve dhe dyshimeve të ngritura për “gabimet” e shpërfaqura në fatura. Nuk tregoi fare se a do të zhvlerësohen faturat “me gabime” dhe a duhet domosdo të paguajnë konsumatorët këto fatura pas dyshimeve të ngritura. Nuk e tha asnjë fjalë se a do të ndëshkohet ndokush për “këto gabime” dhe çka do të bëhet më pastaj.

Dihen, praktikat e reagimit të KEDS-it dhe KESCO-s në këto raste: Më së shumti që do të bëjnë në përgjigjet ndaj ankesave të panumërta për këtë “gabim”, është që ndonjë nga zyrtarët e këtyre kompanive me cinizëm, të thonë “duhet domosdo të paguhet njëherë fatura qoftë edhe me gabime, dhe ne pastaj do ta shqyrtojmë këtë çështje”, ose “çështja e mundësive për të paguar faturat nuk është problem i tyre”. Dhe, deri më sot kurrë dhe në asnjë rast nuk është shqyrtuar “gabimi” i bërë në faturë, përkundër ankesave të panumërta dhe të parreshtura të konsumatorëve, sikundër që ndodhi dhe vazhdon të ndodhë me faturat e fundit të vërshuara nga “gabimet”. Kur të arrijnë faturat e të tjera brenda këtij muaji, pra ato të dytat të shpenzimit të energjisë elektrike, të cilat do të jenë në tërësi me çmime të reja të ngritura në stratosferë, do të shihen edhe më shumë, “gabimet” e përsëritura të KESCO-s…

A do të vazhdojnë të shfaqin indolencën dhe qëndrimin anash të tyre autoritetet kompetente dhe ministrja Rizvanolli, të mos ndjejnë hallet e konsumatorëve të dëmtuar ndjeshëm nga faturat me çmime të reja enorme, dhe vetëm të konstatojnë se “në disa fatura janë paraqitur numra më të lartë se sa ato që do të duhej t’i paguanin qytetarët”, mbetet të shihet.

Ndërkohë, u pa qartë se faturat pjesërisht me çmime të reja, janë me kosto të papërballueshme për shumicën e kosovarëve të varfër. Janë absolutisht të papërballueshme për pensionistët e shumtë që marrin pensione 100 euro në bazë të moshës, janë të papërballueshme edhe për pensionistët e tjerë, ata që kanë pensione në bazë të kontributdhënies, janë të papërballueshme edhe për shtresat numerikisht të shumta të të gjitha atyre familjeve që jetojnë nga ndihmat sociale, por edhe të shumë e shumë kosovarëve të tjerë varfanjakë, që edhe pa fatura “të fryra” dhe “me gabime”, mezi e përmbyllin muajin.

Çështja e faturave ‘të fryra” dhe “me gabime”, doemos dhe urgjentisht duhet të jetë problem, në rend të parë i shtetit, institucioneve të tij, i Qeverisë aktuale, pra edhe i ministres Rizvanolli, që aq me ngulmë, thuaja me fanatizëm, i qëndruan në krah ngritjes shumëfish të çmimit të energjisë elektrike. Sepse, bilanci i këtyre faturave dhe i atyre të pritshme që do të shpërndahen brenda javës, lehtësisht mund të ç’ekuilibrojnë paqen e brishtë sociale në Kosovë.

Nuk është pak, që të ndodhin katër-pesë ngritje enorme çmimesh brenda një vendimi të miratuar nga ZRRE-ja dhe të aminuar nga shteti e pushteti. Përnjëherë është ngritur çmimi i energjisë elektrike në bazë të përqindjeve të rregullta të rritjes (nga 0,67 centë në 12 e deri në 21 centë për kilovat-orë), rritja e dytë e çmimit që është edhe më e madhe dhe më e ndjeshme nëpërmjet rikthimit të bllok-tarifave, ngritja e çmimit të kosovarëve nëpërmjet pagesës së imponueshme të rrymës të shpenzuar nga konsumatorët serb në veri të Kosovës, rritja e katërt që është imponuar nëpërmjet 100 milionë eurove subvencione të Qeverisë për shpërndarësin dhe furnizuesin e energjisë elektrike (lexo nëpërmjet taksave të taksapaguesve të vobektë kosovarë) dhe rritja e pestë dhe më e dhimbshmja dhe më e kushtueshmja është ajo që kosovarët e shumtë po e paguajnë me shumë sëmundje kronike dhe me kancer numerikisht të shpërndarë dhe të evidentuar edhe zyrtarisht të popullata, në afërsi të drejtpërdrejtë të kompleksit elektroenergjetik të Kosovës.

Nëse ka gjë më të rëndë se këto pesë çmime të ngritura brenda një vendimi dhe nëse di dikush se paska diçka më me ndikim në ç’ekulibrimin e jetës modeste normale të kosovarëve është mirë ta thonë, sikundër që është mirë të shpjegohet edhe nga Qeveria dhe institucionet aktuale, edhe nga kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), që ngarendën pakuptueshëm për gjithë këtë ngritje çmimi të rrymës, që po shihet që në faturat gjysmake, se sa ç’ekulibrues dhe përcaktues i jetës sociale do të jetë në vazhdim, në Kosovën e vobektë. Së paku nuk është mirë dhe as civilizuese tallja dhe cinizmi me hallexhinjtë. /Buletini Ekonomik/