Telekomi reagon pas humbjes se rastit në Arbitrazh me Z-Mobile

Telekomi i Kosovës ka reaguar pasi ish-kompania Z-Mobile e ka fituar për herë të dytë rastin në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit ndaj kësaj kompanie, pasi nuk i është vazhduar kontrata meqenëse Z-Mobile nuk i kishte pranuar kushtet për kontratën e re.

Në reagimin e Telekomit të Kosovës thuhet se “Telekomit të Kosovës Sh.A., mbrëmë pas orës 16, i erdhi edhe një “faturë” shumëmilionëshe (rreth 13 milionë euro), për të paguar, pas asaj të cilën e kishte pranuar në vitin 2016 për një shumë prej 39 milionë eurosh, e cila e pati tronditur nga themelet kompaninë dikur më të suksesshme në vend”.

“Në gjendjen e krijuar, do të vazhdojmë të angazhohemi që “faturat” e politikës dhe grupeve të interesit jashtë dhe brenda Telekomit të Kosovës Sh.A., të hetohen nga institucionet e rendit dhe ligjit, që nga zanafilla e tyre, duke përmbyllur kështu një epokë kur pjesë të krimit të organizuar dhe të politikës në bashkëveprim po e rrënonin pronën publike dhe në veçanti kompanitë publike, në një përpjekje të përvetësimit të saj/tyre”.

Reklama e sponzorizuar

“Këto borxhe (dhe ato ndaj shtetit dhe institucioneve të tjera publike), pasojë e një politike dhe një menaxhimi të kaluar, për të cilat askush deri sot nuk dha përgjegjësi, rrezikojnë të përmbytin përpjekjet e jashtëzakonshme që po bëhen për të rimëkëmbur këtë kompani, e cila ka potencial të jashtëzakonshëm njerëzor. Rimëkëmbja dhe ruajtja e Telekomit të Kosovës me një qasje krejtësisht tjetër ndaj pronës publike, ndaj qytetarit dhe konsumatorit dhe vënia jonë në shërbim të publikut/ konsumatorëve 24/7, është në interesin më të mirë publik dhe njëkohësisht një obligim ligjor e moral, e profesional”, thuhet në reagimin e Telekomit, transmeton Telegrafi.

“Një strategji e grupeve të interesit, e formësuar në një kontratë publikisht të dyshuar dhe të denoncuar si korruptive, e kishte degraduar Telekomin e Kosovës Sh.A. nga një kompani që dha rreth 900 milionë tatime për buxhetin e shtetit, në një kompani e cila vitin e kaluar mezi shpëtoi nga kthetrat e përmbaruesve. Por, Telekomi aktualisht po ndërton një proces të baraspeshuar të pagesës së borxheve dhe një proces paralel të rimëkëmbjes së brendshme financiare, organizative, morale e operative si dhe kthimit të ligjshmërisë në kompani”.

“Vendimi i Arbitrazhit ICC No. 24841, përkundër faktit pozitiv se konstaton që kontrata me Z- mobile konsiderohet e përfunduar me 30 korrik 2019 dhe ka refuzuar shumicën e kërkesave të Z-Mobile, megjithatë nuk është në linjë me pritjet e Telekomit të Kosovës Sh.A. dhe sipas vlerësimeve paraprake nuk është as në përputhje me standardet ligjore të aplikueshme. Përpos që nuk sjell drejtësi për sa i përket raportit tashmë të përfunduar kontraktual me Z-Mobile, ku Telekomi ka arritur të dëshmojë humbje të akumuluara qindra milionëshe, i njëjti nuk është në përputhje me parimet kryesore të drejtësisë dhe përgjegjësisë kontraktore”, thuhet në reagim.

“Si i tillë, vendimi është në esencë i parregullte dhe Telekomi i Kosovës Sh.A. do të vazhdojë të ndjekë rrugët ligjore për të sfiduar vendimin. Ekspertët tonë ligjor janë duke përgatitur argumentet përmes të cilave do të sfidojnë Vendimin e ICC no. 2481 në gjykatat kompetente”, thuhet në reagim.