Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se vendimi të cilin Qeveria e ka marrë të mërkurën për shpronësim të pronave në Han të Elezit është bërë për të shmangur pengesat në zhbllokimin e një terminali privat doganor, të cilin e ka akuzuar për vënie pengesash në prona private e ato të menaxhuara nga Agjencioni Kosovar i Privatizimit, raporton Ekonomia Online.
Aliu ka thënë se bllokimi i kësaj rruge ka krijuar një precedant të keq, ndonëse tha se gjithë zona përbëhet nga parcelat që menaxhohen nga AKP-ja.
Në një konferencë për medie, Aliu ka thënë se transportuesit e mallrave nuk do të paguajnë më 40 euro në Terminalin doganor në Hanin e Elezit, aq sa ishin të detyruar të paguanin më parë.
“Ka qenë 1 nëntor që kemi marrë kërkesë nga argjendet doganor. Nëse ata do të donin të bënin zhdoganim në një terminal tjetër do ta paguanin 40 euroshin. Ky bllokim ka krijuar një precedent të keq ku një operator privat bllokon rrugën ku e gjithë zona përbëhet nga parcela në menaxhim të AKP e të privatizuara. Pengesat kanë qenë të vendosura në pronësi të privatizuar. Kemi kërkuar nga AKP të bëjë zhbllokimin e kësaj rruge në ndërkohë kanë hasur në problem. Në këtë proces nuk është përfshirë AKP. Janë marrë vendimet për zhbllokim. Dje kemi marrë vendim shpronësimin e pronave që janë në menaxhim të AKP-së. E jona ka qenë të marrim masa dhe mesazhi ynë është që çfarëdo lloj tendence që rrugët publike të bllokohen ne nuk do t’i lejojmë dhe do të zhbllokojmë çdo veprim të tillë”, tha Aliu.
Ministri Aliu tha se çështja e kthimit të parave që kanë dhënë operatorë nuk është çështje e tyre.
“Nuk është çështje e jona për ta korrigjuar atë padrejtësi sepse ka bazë ligjore. Me operatorin nuk është komunikuar por me AKP dhe kemi kuptuar që janë vendosur në pronë të AKP. Janë tre prona që ka marrë vendim gjykata. AKP ka hequr pengesat nga prona e vet. Kompensimet i vendosin gjykatat”, tha ai.









