Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se vetëm në dy muajt e parë të këtij viti, ka arritur që të mbledh 124.9 milionë euro tatime nga tatimpaguesit.
Sipas ATK-së, ky trend i performancës së të hyrave ka tejkaluar objektivat e planifikuara të saj për këtë periudhë, duke arritur që të mblidhen 11.8 milionë euro apo 10.4% më shumë sesa plani.
Kurse, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2021, këtë vit të hyrat thonë se janë rritur për 30 milionë euro apo 31.6 % më shumë, përcjell Buletini Ekonomik.
“ATK të gjitha aktivitetet e saj tash më i ka të koordinuara sipas Planit Strategjik për vitin 2022-2026, në të cilin janë të përfshira objektivat; forcimi i mbledhjes së të hyrave dhe zvogëlimi i hendekut tatimor – maksimizimi i të hyrave të mbledhura dhe të pagueshme, sipas ligjeve tatimore të Kosovës; modernizimi i Administratës Tatimore – zbatimi i një sistemi të ri të administrimit të teknologjisë së informacionit, modernizimi i strukturave tona organizative, si dhe ngritja e kapaciteteve të stafit dhe kapaciteteve institucionale për t’iu përgjigjur mjedisit tonë të ri”, thuhet në një njoftim për media nga ATK.
Nga ky institucion shtojnë se për të implementuar Planin Strategjik, ATK do të vazhdojë të avancojë një sërë nismash reformuese për të ndërtuar një administratë tatimore moderne dhe efektive, që do ta udhëzojnë hartimin e strategjive dhe veprimeve specifike në planet vjetore operative dhe strategjike.
Me këtë rast, ATK-ja iu ka bërë thirrje të gjithë tatimpaguesve që t’i kryejnë me kohë obligimet e tyre tatimore, pasi që kjo është njëra prej shumë mundësive, kur ata mund të kontribuojnë për shtet. /Buletini Ekonomik/









