Sa kushtojnë qepët në Kosovë?- Si u mbajtë çmimi thuaja konstant me muaj të tërë, i këtij produkti?

Një produkt, ndër të rrallët në Kosovë, që pak a shumë e ka mbajtur me muaj të tërë çmimin konstant, thuaja të pandryshuar fare për një kohë të gjatë, është qepa shumë e kërkuar edhe në tregun kosovar sikundër në tregjet e botës. Qepët në Kosovë, thuajse që nga vjeshta e vitit të kaluar, e deri në këto ditë anembanë tregjeve të Kosovës, po tregtohen me çmimin konstant prej 50 centësh.

Edhe të mërkurën dhe të enjten në Tregun e Gjelbër të Prishtinës, ky prodhim shitej thuaja në të gjitha shtandet e shumta me këtë çmim. Po kështu, edhe qepët e ashtuquajtura të kuqe, që rëndom në tregjet tona kanë kushtuar më shumë se qepët e bardha, ato të rëndomtat, tregtoheshin përafërsisht me çmim të njëjtë të para disa javëve. Një kilogram i qepës së kuqe kushton 70 centë.

Pse dhe si arriti që ky produkt të mos i nënshtrohet rrethanave aktuale të ngritjes të vrullshme enorme të çmimeve të shumicës së produkteve, edhe të atyre bazike ushqimore që ndodhën në dhjetëditëshin e parë të këtij muaj edhe në vendin tonë?

Reklama e sponzorizuar

Përgjigjen e kanë tregtarët e vjetër të pemëve dhe perimeve që me vite të tëra kanë shtandet e veta në Tregun e Gjerbër kryeqytetas. Sipas tyre, në vitin që shkoi kudo te ne dhe në vendet e tjera, ka pasur rendimente të mira të qepës. Tregtarët kosovarë kanë krijuar me kohë goxha rezerva të këtij produkti, duke siguruar sasi të mëdha të qepëve, qoftë vendore qoftë të importuara.

“Këto qepët e rrumbullakta dhe shumë të mëdha janë nga importi, madje kryesisht nga Holanda. Një copë e kësaj qepe ndodhë të peshojë mbi gjysmë kilogrami, e edhe afro një kile”, thotë një tregtarë i vjetër që me vite të tëra tregton pemë dhe perime në tregun prishtinas. Ai shpjegon se qepët e tjera, po kështu të rrumbullakta, por që janë shumë më të vogla se ato holandezet, janë të importuara nga Serbia.

Sipas tij, megjithë hijeshinë dhe pamjen impozante të qepëve nga Holanda, ato vendoret janë më të mira dhe më të kërkuara nga blerësit.

“Qepët e Rahovecit nuk kanë kund shoqen”, prandaj kërkohen më shumë, thotë tregtari prishtinas që preferon anonimitetin.

Sipas tij, nuk ndonjë arsye që të rritet çmimi i qepëve edhe në ditët në vijim.

“Ka stoqe të shumta me qepë, qoftë të prodhimit vendor, qoftë me sosh nga importi. Por, tashmë kanë dalë edhe qepët e reja, të cilat përditë e më shumë po vërshojnë tregjet tona. Ato në ditët në vazhdim do të gjenden kudo. Prandaj pse të ngritet çmimi i tyre”, thotë tregtari i moçëm kryeqytetas.

Duhet thënë se derisa çmimi i qepëve në Tregun e Gjelbër të Prishtinës është standardizuar thuajse me muaj të tërë, në dyqane të ndryshme, minimarkete, supermarkete dhe në ato që tregtojnë vetëm pemë e perime dhe ndonjë produkt tjetër bujqësor, çmimi i qepëve ka lëvizur gjithnjë dhe vazhdon të luhatet nga 50 deri në 60 centë, e në raste-raste edhe deri afro një euro për kilogram. /Buletini Ekonomik/