Edhe pse rritet mirë në pjesën dërmuese të tokave të Kosovës, hudhra e prodhuar në vend, nuk i plotëson nevojat e tërësishme të konsumit në vend. Prandaj, thuaja për çdo vit, importohen sasi jo të pakta të hudhrës nga vendet e rajonit.
Blendrita Avdiu
Hudhra, një nga perimet e kahmotshme më të konsumuara te ne, vazhdon të përdorët pothuajse përditë dhe si e tillë zë një vend të veçantë në shportën e konsumatorëve kosovarë.
Është përdorur shumë në tryezat e kosovarëve ky perim edhe për faktin se nga të gjitha shtresat e popullsisë është ditur kaherë për vlerat ushqyese dhe efektet shëndetësore të saj.
Ndërkohë, edhe pse rritet mirë në pjesën dërmuese të tokave të Kosovës, hudhra e prodhuar në vend, qoftë për shkak të prodhimit të paktë të saj, qoftë edhe për shkak të një sasie të konsiderueshme që fermerët e eksportojnë, nuk i plotëson nevojat e tërësishme të konsumit në vend.
Prandaj, thuaja për çdo vit, importohen sasi jo të pakta të hudhrës nga vendet e rajonit. Ka ndodhur ndër vite më herët që hudhra është importuar edhe nga Kina e largtë.
Duhet theksuar se ky perim, sado që është mjaftë popullorë sa i përketë konsumit, gjithnjë është tregtuar me çmime bukur të larta në tregjet e vendit.
Edhe tani, këtyre ditëve, çmimi i këtij perimi është i lartë.
Aktualisht hudhra në treg dhe nëpër markete në vend tregtohet me ccmimin mbi 4 euro për kilogram.
Dje, gjatë një vizite të marketeve që tregtojnë perime dhe tregjeve të gjelbërta të kryeqytetit nga Buletini Ekonomik, hudhra tregtohej me çmimin nga 4 deri në 5 euro kilogrami.
Më saktësisht, me 4 euro e 15 centë tregtoheshin hudhrat e importuara nga Shqipëria, ndërsa ato të importuara nga Greqia shiteshin me çmimin 4 euro e 99 centë për kilogram.
Hudhrat në tregjet tona shiten edhe të amballayhuara në varg, rëndom të radhitura nga 5-6 copë, e deri në 10 copë, dhe ky varg hudhrash tregtohet nga 1 euro e 15 centë.
Sipas shitësve në Prishtinë, edhe pse hudhra ka shitje të vazhdueshme në përditshmëri, koha e saj e shitjes më të madhe është në shtator, në sezonin e turshive. Siç thonë ata, hudhra është mjaftë e qendrueshme dhe se nuk prishet lehtë.
Tashmë, në tregjet e kryeqytetit ka nis të shiten edhe hudhra e re, e kultivuar sivjet në kopshtijet e qytetarëve kosovarë, dhe ajo shitet me gjithë gjethet dhe të lidhura në fije- në dy-tre sosh. /Buletini Ekonomik/