Kosova në mars importoi mallra në vlerë të 493.9 milionë eurove

Fotografi ilustruese

Importi i mallrave në Kosovë në raport me eksportin e produkteve jashtë shtetit, po vazhdon të jetë shumë më i lartë.

Në muajin mars të këtij viti, deficiti tregtar mes eksportit dhe importit, u regjistrua në një vlerë prej 405.3 milionë eurove. Në mars 2021, i njëjti ishte 320.7 milionë euro.

Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2021, këtë vit ky deficit tregtar u pasqyrua me një përqindje prej 26.4% më të lartë, përcjell Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), për rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin mars 2022, thuhet se eksporti mbulon importin me 17.9%.

Sipas ASK-së, eksporti i mallrave në muajin mars 2022 kishte vlerën 88.6 milionë euro, ndërsa importi i mallrave ishte në vlerë të gjithsej 493.9 milionë eurove. Kjo është një rritje prej 43.3% për eksport dhe 29.1% për import, nëse e krahasojmë me periudhën e njëjtë të vitit 2021.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të importit, sipas statistikave nga ASK-ja, 16.0% e përbëjnë produktet minerale, 12.0% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 11.0% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 10.8% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 8.4% e përbëjnë produktet e industrisë kimike, 7.9% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, kurse 6.8% e përbëjnë mjetet e transportit, etj.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 205.4 milionë euro, ose 41.6% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 11.1%. Prej tyre, importet me pjesëmarrjen më të lartë ishin nga: Gjermania me 10.6%, nga Greqia me 4.8% dhe nga Italia 4.5%.

Ndërkohë, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin mars 2022, arritën në 93.2 milionë euro, që përbëjnë 18.9% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 30.7%.

Vendet me pjesëmarrjen më të lartë për import nga kjo organizatë, ishin: Serbia më 6.5%, Shqipëria më 5.8% dhe Maqedonia e Veriut me 5.3%.

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në gjithsej 195.2 milionë euro, ose 39.5%. Vendet me pjesëmarrjen më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia me 13.8% dhe Kina me 10.5%. /Buletini Ekonomik/