Kosova thotë se parimi i reciprocitetit për targat “është i panegociueshëm”

Për Kosovën, parimi i reciprocitetit për zgjidhjen lidhur me targat e makinave është i padiskutueshëm dhe i panegociueshëm, deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë afat që deri më 21 prill të arrijnë një marrëveshje për targat, pasi aktualisht është në fuqi një marrëveshje e përkohshme e targave, ku makinat nga Kosova dhe Serbia duhet të mbulojnë me letër ngjitëse simbolet shtetërore në targa.

“Më 21 prill është afati i fundit kur do të duhej që të merremi vesh për targat. Unë e di që parimi i reciprocitetit do të jetë aty, ndërkaq për aspektet teknike e kemi grupin tonë teknik i cili merr pjesë atje si dhe kryengeciatorin i cili po bisedon se si ta gjejmë një zgjidhje. Por, ajo që e di që është e padiskutueshme, e panegociueshme është parimi i reciprocitetit si thelb i çfarëdo zgjidhjeje të ardhshme”, tha Kurti gjatë një deklarimi për media në Prishtinë më 18 prill.

Reklama e sponzorizuar

Më 20 shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës, kishte vendosur masën e reciprocitetit për targat serbe, që nënkuptonte se me të hyrë në territorin e Kosovës, makinat me targa serbe, duhet të merrnin targa provuese. Ideja ishte që këto targa provuese të ishin të vlefshme për 60 ditë dhe të kushtonin pesë euro.

Deri atëherë, qytetarët e Kosovës, të cilët kishin targa RKS (Republika e Kosovës), përgjatë një dekade, kur hynin në territorin e Serbisë, paguanin rreth pesë euro për targat provuese, që vlenin për 60 ditë.

Kjo më pas nxiti protesta dhe bllokada nga serbët lokalë, të cilët shtatorin e kaluar bllokuan rrugët që çonin në dy pikëkalimet kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Më 30 shtator, me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje të përkohshme për targat. Por, grupet punuese nga Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian kanë afat që deri më 21 prill të arrijnë një marrëveshje përfundimtare.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kishte deklaruar në mars për REL-in se ishte optimist se grupet punuese do të prezantonin propozime për këtë çështje, për të cilat më pas do të vendosnin udhëheqja politike e të dyja shteteve.