Kurti, bizneseve austriake: Investimet tuaja në Kosovë do të jenë sukses për ju

Kryeministri Albin Kurti në Forumin Ekonomik Kosovë-Austri, u ka bërë thirrje bizneseve austriake që të investojnë në Kosovë, duke thënë se këto investime do të jenë sukses edhe për ata.

Në këtë forum i cili po mbahet në Prishtinë me qëllim promovimin e bizneseve dhe nxitjen e investimeve direkte nga kompanitë austriake në Kosovë, Kurti ka përmendur ndërtimin e hekurudhës Prizren-Durrës, me ç’rast ka ftuar kompanitë austriake të aplikojnë.

Ai po ashtu është shprehur i kënaqur që shumë kompani të suksesshme austriake do të takohen me ato në Kosovë dhe “do të shkëmbejnë çështje të fokusit të përbashkët”.

Reklama e sponzorizuar

“Kosova është falënderuese për mbështetjen e ofruar nga Austria. Kam kënaqësinë që sot shumë kompani të suksesshme nga Austria do të takohen me biznese në Kosovë dhe do të shkëmbejnë çështje të fokusit të përbashkët. Kam kënaqësinë të ju mirëpres në Kosovë”, ka thënë shefi i qeverisë.

Mes tjerash, ai ka siguruar kompanitë austriake se Kosova është mjedis miqësor për bërje të biznesit.

Kurti po ashtu ka përmendur hapjen e vendeve të reja të punës, rritjen e zhvillimit ekonomik, rritjen e eksporteve dhe të investimeve kapitale si suksese të Qeverisë së udhëhequr nga ai.

“Kemi krijuar mbi 25 mijë vende të reja pune, zhvillimi ekonomik është rritur. Deri në vitin e fundit, vlera e eksporteve është rritur për 80 për qind krahasuar me vitin 2020. Po ashtu, kemi pasur rritje të investimeve kapitale për 10 për qind krahasuar me vitin 2020. Po thyejmë rekorde një pas një”, ka deklaruar ai.