Policëmbajtësit e kompanisë së sigurimeve “Kosova e re”, shumë shpejt do të kenë mundësinë e kompensimit.
Burime të afërta me këtë proces, kanë pohuar për Buletinin Ekonomik se procesi i likudimit të kësaj kompanie tashmë ka arritur në një fazë, ku shumë shpejt qytetarët policëmbajtës në këtë kompani, do të thirren t’i nënshkruajnë marrëveshjet për kompensim të dëmeve.
Sipas këtyre burimeve, fillimisht likuidatori ka kërkuar që brenda 90 ditësh të gjithë ata që janë dëmtuar t’i parashtrojnë kërkesat e tyre, porse tani kjo fazë është përmbyllur.
Ndërkaq, në ditët në vazhdim, komisioni i likuidimit të “Kosovës së Re” pritet që të dalë me rezultatet nga shqyrtimi i kërkesave dhe pas kësaj do të njoftohen palët e dëmtuara.
“Procesi i likuidimit ka arritur në një fazë ku shumë shpejt pritet të thirren qytetarët që kanë pasur polica në Kosovën e Re që t’i nënshkruajnë marrëveshjet për kompensim”, ka thënë ky burim.
BQK ia kishte revokuar licencën kompanisë që nga gushti 2021
Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ia kishte revokuar licencën kompanisë së sigurimeve ‘Kosova e Re’, më 28 gusht të vitit të kaluar (2021).
Kompania kishte shkuar në likuidim, pas paaftësisë së kompanisë për t’i përmbushur kërkesat ligjore për kapital dhe solvencë të përcaktuara me ligj, përcjell Buletini Ekonomik.
Kjo kishte ndodhur pas 11 muajve nën administrim të përkohshëm nga BQK-ja.
“Kosova e Re”, ishte nën administrim të përkohshëm nga Banka Qendrore që nga 1 nëntori i vitit 2020 deri më 30 prill të 2021-s.
BQK e kishte futur kompaninë edhe në listën e zezë
Mirëpo, pas kalimit të afatit të administrimit të përkohshëm, BQK-ja kishte vendosur ta fusë edhe në listën e zezë këtë kompani, në mënyrë që t’i jepte afat edhe dy muaj shtesë.
BQK-ja i kishte dhënë afat edhe dy muaj kësaj kompanie në mënyrë që të reflektonte në përmirësimin e gjendjes financiare të saj dhe në përmbushjen e kërkesave ligjore për kapital, solvencë dhe aseteve në mbulim të provizioneve teknike.
Bordi i BQK-së para se ta jepte këtë vendim për listën e zezë, kishte konstatuar se siguruesi “Kosova e Re” nuk kishte shfaqur kurrfarë faktesh për përmirësim të gjendjes financiare.
Lexo më shumë:
“Si rezultat i gjendjes së rënduar financiare dhe mos përmbushjes së kërkesave ligjore për kapital, si dhe në funksion të përmirësimit të gjendjes financiare, me qëllim të mbrojtjes së policëmbajtësve dhe sigurimit të stabilitetit financiar të sektorit, BQK-ja gjatë këtij viti ka marrë vendimin për vendosjen nën administrim të përkohshëm të siguruesit “Kosova e Re”, ishte thënë në njoftimin për media të BQK-së në dhjetorin e vitit 2020, kur edhe kishte njoftuar për futjen nën administrim të kompanisë.
Ndryshe, kompania “Kosova e Re” është në pronësi të kompanisë nga Ferizaj “Fitorja” SHPK. /Buletini Ekonomik/