Evropa përballet me kërkesën për pagesë të gazit me rubla

Bisedimet mes negociatorëve ukrainas dhe atyre rusë, pritet të vazhdojnë më 1 prill përmes video-lidhjes.

Inteligjenca ushtarake e Britanisë së Madhe, ka thënë më 1 prill se forcat ukrainase kanë rimarrë kontrollin e fshatrave Sloboda dhe Lukashivka, të cilat gjenden mes Kievit dhe Çernihivit.

“Ukraina ka vazhduar të bëjë kundërsulme të suksesshme, por të kufizuara, në lindje dhe verilindje të Kievit”, ka thënë Ministria britanike e Mbrojtjes.

Reklama e sponzorizuar

Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.

Sipas saj, si Çernihivi, ashtu edhe Kievi, kanë qenë subjekte të sulmeve të vazhdueshme me raketa, pavarësisht pretendimeve ruse për zvogëlim të aktivitetit në këto rajone.

Ushtria ukrainase ka thënë më 1 prill se disa forca ruse janë duke u larguar nga Kievi, drejt kufirit të Bjellorusisë.

Sipas saj, forcat ruse kanë marrë me vete edhe pajisjet e plaçkitura.

Ministria ruse e Mbrojtjes, ka thënë më 1 prill se në qytetin e rrethuar të Mariupolit, ku dhjetëra mijëra njerëz janë bllokuar tash e sa javë,

Ata kanë me pak rezerva të ushqimit, ujit dhe produkteve tjera, do të hapen korridoret humanitare, në mënyrë që civilët të ikin nga qyteti.

Ndër zhvillimet tjera është edhe ai për një depo të naftës në qytetin rus, Belgorod.

Guvernatori rajonal, Vyacheslav Gladkov, ka thënë se dy helikopterë ushtarakë ukrainas kanë goditur këtë depo.

Nëse konfirmohet, ky do të ishte sulmi i parë i nisur nga Ukraina në tokën ruse, prej kur Moska ka nisur pushtimin e këtij shteti fqinj më 24 shkurt.

“Neve ende na duhet të kalojmë rrugë të vështirë për të marrë gjithçka që duam”, ka thënë Zelensky.

Ai, po ashtu, ka bërë të ditur se ka shkarkuar dy gjeneralë për shkelje të paspeficifikuara.

“Tani, nuk kam kohë të merrem më të gjithë tradhtarët, mirëpo gradualisht, të gjithë do të ndëshkohen”, ka thënë ai.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka kërcënuar me shkëputje të kontratave për furnizim të Evropës me gaz.

Përveç nëse shtetet bëjnë pagesa me rubla, kërkesë që është hedhur poshtë nga disa shtete evropiane më 31 mars.

Qeveritë evropiane kanë thënë se do të analizojnë një mekanizëm që e ka parashtruar Putini, duke u lejuar konsumatorëve që të paguajnë në valuta të huaja në një llogari të bankës Gazprom të Rusisë, e cila më pas do t’i konvertojë pagesat në rubla.

“Ata duhet të hapin llogari të rublave në bankat ruse. Nga këto llogari do të kryhen pagesat për gaz, duke nisur prej nesër”, ka thënë Putin më 31 mars.

“Nëse këto pagesa nuk bëhen (në rubla), ne do ta konsiderojmë këtë gjë mospagesë nga ana e blerësve dhe do të vijojnë pasojat, përfshirë shkëputjen e kontratave ekzistuese”.

Disa qeveri evropiane kanë thënë se kërkesat e Putinit për pagesën me rubla do të përbënin shkelje të kontratës.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë se në kontrata është e qartë që pagesat duhet të bëhen në euro dhe ndonjëherë në dollarë amerikanë.

Ai ka thënë se ia ka bërë të qartë Putinit një gjë të tillë, në një bisedë telefonike të 30 marsit se “kjo gjë do të mbetet kështu”.

Ndërkohë, presidenti amerikan, Joe Biden, ka marrë vendim për lëshimin më të madh ndonjëherë të naftës nga rezervat amerikane, për të ofruar lehtësi për amerikanët kur mbushin rezervuarët.

“Ky është moment i pasojave dhe rrezikut për botën”, ka thënë Biden në Shtëpi të Bardhë, teksa ka bërë të ditur lëshimin e 1 milion fuçive naftë në ditë.

Si rezultat, çmimet e naftës kanë rënë.

Biden ka thënë se përmes vendimit të tij synon të luftojë rritjen e çmimeve të naftës, si pasojë e pushtimit rus në Ukrainë.

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, ka thënë në një intervistë më 31 mars se Rusia tani është “shtet më i vogël” për shkak të luftës në Ukrainë.

“Presidenti (rus, Vladimir) Putin nuk është forca që ka qenë dikur. Ai është njeri që ka mbetur në kafazin që e ka ndërtuar vetë”, ka thënë ministri britanik për Sky News.

“Ushtria e tij është e lodhur, ai është përballur me shumë humbje. Reputacioni i kësaj ushtrie të madhe të Rusisë është shkatërruar”, ka thënë Wallace.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës./REL/