Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) ka njoftuar se më datë 26 prill do të hapet për aplikim Programi për Pagesa Direkte dhe Subvencione për bujqit.
Ky program, njëherësh është mbështetje për bujqit për vitin 2022.
Programi në fjalë pritet që të ofrojë rritje substanciale të mbështetjes financiare për fermerë me vlerë prej rreth 50 milionë euro, përcjell Buletini Ekonomik.
Këtu përfshihen 5 milionë euro për subvencionimin e naftës për tokëpunuesit, përkthyer në 0.36 cent për litër, si dhe 8 milionë euro për inputet bujqësore për plehërim pranveror.
Inputet bujqësore që do të subvencionohet janë për 4 kultura bujqësore, si për grurë, shumë e përkthyer në 150 euro për hektarë dhe misër, patate dhe fasule përkthyer në 100 euro për hektarë.
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, përmes një njoftimi për media, ka thënë se “pas aprovimit të Programit për Pagesa Direkte / Subvencione 2022 me datë 4 mars dhe ndjekjes së procedurave ligjore për hartimin e Udhëzimit Administrativ, diskutimit paraprak, diskutimit publik dhe hyrjes në fuqi të këtij akti normativ pas shpalljes në Gazetën Zyrtare, si dhe pas koordinimit të Drejtorive për Bujqësi në Komuna me Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, ka vendosur që ta hapë aplikim për këtë program më 26 prill 2022.
Sipas tij, përmes këtij programi është rritur mbështetja për 216% për grurin, 119% për misrin, 118% për pataten dhe fasulen, 85% për perimet për perimet në fushë të hapur, 100% për perimet në sera, 33% për bletët, 26% për kulturat pemëtare, 25% për mjedrën, 21.6% për farën e grurit, 16% për qumështin sipas cilësisë;
Gjithashtu, ai shkroi se ka edhe rritje të konsiderueshme për shumicën e sektorëve dhe nën-sektorëve të paraparë me Programin e Pagesave Direkte 2022. /Buletini Ekonomik/









