Oda Ekonomike Gjermane në Kosovë: Lufta në Ukrainë do të ndikojë më së shumti në rritjen e çmimeve të produkteve në Kosovë

Foto: Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare

Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare së bashku me ‘Konrad-Adenauer-Stiftung Kosovo’ gjatë ditës së djeshme kanë organizuar një tryezë diskutimi me temën ”Pasojat ekonomike globale të pushtimit rus të Ukrainës, në veçanti për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor”.

Në këtë tryezë u diskutua lidhur me pasojat afatgjate që kjo situatë do të ketë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi.

Përveç sferave që do të ndikohen më rëndë nga pasojat, u diskutua edhe për potencialin e mundësive që Kosova dhe Ballkani Perëndimor mund të përfitojnë në këtë krizë.

Reklama e sponzorizuar

Në konferencë u tha se ndikimi më i madh i luftës në Ukrainë për Kosovën do të jetë në lëvizjen e çmimeve të produkteve, duke qenë se Kosova varet në masë të madhe nga produktet e importit, përcjell Buletini Ekonomik.

P.sh., prej 18 milionë euro sa ishte vlera e gjithsej importeve të plehrave kimike në Kosovë më 2021, rreth 5 milionë euro prej tyre ishin vetëm nga Rusia.

Mirëpo, në përgjithësi, bilanci tregtar i Kosovës me këtë shtet është i vogël dhe vlerësohet se nuk mund të këtë efekt direkt në importet e Kosovës.

Në tryezën “Pasojat ekonomike globale të pushtimit rus të Ukrainës, në veçanti për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor” të organizuar nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK), u tha gjithashtu se ndikimi kryesor do të jetë i tërthortë te rritja e çmimeve edhe si pasojë e shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Aty u potencua se plehrat kimike dhe llamarina janë dy produktet kryesore që Kosova importon nga Rusia.

Blendi Hasaj, Drejtor Ekzekutiv në Institutin GAP, tha se ndikimi i luftës në Ukrainë për Kosovën do të ketë ndikim sidomos tek furnizimi me grurë për shkak të vendimit të Serbisë dhe Hungarisë për ndaljen e eksporteve të grurit.

Ndryshe, pjesë e panelit ishin Labinot Preniqi nga Banka Qendrore e Kosovës, zëvëndësambasadori gjerman- Jan Axel-Voss, Ricardo Giucci nga German Economic Team, Blend Hasaj nga Instituti GAP dhe Shpend Ahmeti- ekspert i ekonomisë, me fjalën hyrëse nga drejtori i KAS, Daniel Braun./Buletini Ekonomik/