Karrota, një nga perimet që kultivohet me shumicë në Kosovë dhe e vlerësuar kahmot edhe karrota si një nga perimet më të shëndetshme, zë vend shumë në shportën e konsumatorëve kosovarë dhe konsumohet shumë.
Blendrita Avdiu
Karrota, një nga perimet e vlerësuar shumë nga mjekësia dhe nutricionistët, tash e disa vitet e fundit kultivohet me shumicë gjithndej rajoneve të Kosovës. Karrota tashmë kultivohet në sipërfaqe relativisht të mëdha edhe nga fermerët si një product komercial, fitimprurës për buxhetin e tyre dhe plasohet me bollëk në të gjitha tregjet e vendit. Mirëpo, karrotën së fundi e kultivojnë në kopshtet e tyre edhe familje të shumta vetëm për nevoja familjare.
Dhe si rrjedhojë e ofertës së shumtë ky perim gjithnjë thuaja se është tregtuar me ccmime të pranueshme.
Nëpër tregjet dhe marketet në vend, karrota shitet edhe e paketuar edhe refuz. Aktualisht, një kilogram i karrotës në markete në vend shitet për 79 centë, ndërsa ato të paketuarat të cilat peshojnë 700 gramë, kushtojnë 99 centë. I njëjti çmim nuk është edhe nëpër tregjet në Prishtinë, pasi që çmimi i tyre në treg ëshë për 10 deri në 20 centë më lirë.
Karrota tashmë në tregjet e vendit është vendore dhe kultivohet mjaft shumë nga bujqit në Kosovë. Konkretisht, sipas shitësve në tregje dhe markete, konsumi i saj është i vazhdueshëm dhe i përditshëm, ndonëse koha dhe hovi i madh i shitjes së saj dhe kultivimit është në shtator për shkak të kërkesës së madhe nga konsumatorët.
Sipas shitësve, karrota ka qëndrueshmëri deri në 14 ditë, ndonëse siç theksojnë ata, furnizohen çdo ditë me të dhe kryesisht janë të freskëta. Disa nga shitësit e marketeve e tregjeve në kryeqytet, në kushte anonimiteti, thanë për Buletinin Ekonomik se karrota është pothuajse një nga perimet e preferuara për konsumatorët vendas, pasi që ka shitje të vazhdueshme dhe kërkesa është jashtëzakonisht e lartë. Siç theksojnë ata, karrotën e blejnë qytetarët të cilët e marrin për përgatitje të ushqimeve.
Në anën tjetër, ata theksojnë se karrota ka mjaft vitamina dhe se është shumë e dobishme. Aktualisht, çmimi nuk është i lartë, mirëpo sipas tyre, gjatë kohës së vjeshtës konkretisht periudha shtator – nëntor, çmimet e saj janë më të ulëta për shkak se çdo produkt në sezonën e tij kushton më lirë sesa kur i kalon sezoni. Kjo për shkak se ajo në atë kohë prodhohet edhe nëpër bashqet dhe serrat kosovare dhe është më e bollëshme. Mirëpo, gjatë asaj kohe edhe shitet më shumë. Ndryshe, ky nuk është një çmim fiks i karrotës pasiqë ka lëvizje të çmimit të saj.
Momentalisht nëpër disa markete në Prishtinë, ajo tregtohet edhe me çmim prej 59 centë për kilogram pasi që janë në aksion.
Vite më parë, karrota është importuar në sasi jo të vogla për tregun e Kosovës sidomos nga Turqia dhe më pak nga Shqipëria. Ndërsa, në vitet e fundit, sikundër edhe në këtë vit, karrota në tregjet e vendit është thuaja 100 për qind prodhim vendor. Prodhimi i karrotës në arat e fermerëve të vendit tashmë i plotëson në tërësi nevojat e tregut me këtë produkt. /Buletini Ekonomik/