Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka raportuar lidhur me takimet e tij në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Jashtme, Bislimi ka thënë se Kosova dhe Serbia janë afër finalizimit të marrëveshjes për çështjen e energjisë në veri të vendit.
“Ne kemi prezantuar një udhërrëfyes sesi duhet të vijmë deri te normalizimi i situatës me furnizim në veri, për këtë janë paraparë 105 ditë dhe jemi afër finalizimit të kësaj marrëveshje”, ka thënë Bislimi.
Ai nuk ka dashur të shpalos detaje para deputetëve për siç u shpreh “ të mos rrezikohet asgjë në moment të fundit”, raporton Telegrafi.
“Kisha dashtë që mos me fol për detajet e marrëveshjes që të mos rrezikohet asgjë në moment të fundit, por jemi në rrugë të mirë që më në fund veriu i Kosovës të futet në sistem normal të furnizimit, faturimit dhe pagesave të faturave të energjisë”, u shpreh Bislimi.
Për çështjen e targave, zëvendëskryeministri tha se nuk ka pasur marrëveshje si rezultat i mosgatishmërisë së palës serbe.
“Për çështjen e targave, nuk ka marrëveshje me Serbinë për shkak që nuk ka pasur gatishmëri për palën serbe për këtë çështje”, tha Bislimi
Bislimi tha se këto dy tema janë trajtuar këto muaj për shkak se në njëfarë forme kanë qenë detyrim për dy arsye.
“E para sepse marrëveshja e targave ka pasur një afat skadimi, dhe e dyta tema e energjisë për shkak që edhe pas marrëveshjes së vitit 2015 nuk kemi arrit që veriun ta fusim në sistem normal të faturimit dhe pagesave të energjisë elektrike”, tha Bislimi.
Zëvendëskryeministri shtoi se e kanë menduar se përparimi në këto dy tema mund të qoj sinjal te qytetarët se në dialog mund të arrihen dakordime që kanë benefit të drejtpërdrejt te qytetarët, dhe se gjithashtu ka qenë si parakusht për të krijuar një atmosferë të përshtatshme për fillimin e negociatave për marrëveshje gjithëpërfshirëse në mes dy liderëve të shtetit.